Mish pule me domate
Përbërësit:
- 1 pulë mesatare
- 1 kg domate
- 150 gr gjalpë
- 100 ml verë të bardhë
- 200 gr qepë të thata
- 1 lç miell patate
- Kripë, piper i zi
Përgatitja:
Pasi i kemi marinuar mirë racionet e pulës me kripë e piper i vendosim në një tenxhere, hedhim gjalpin dhe e mbulojmë me kapak dhe e vemë në zjarr të lehtë duke e përzier herë pas here që të skuqen nga të gjitha anët e të marrin ngjyrë. Pasi të mbarojë skuqja hedhim qepën të grirë shumë hollë me kujdes (brenda në gjalpë jo mbi pulë) dhe mbasi e kaurdisim derisa të marë ngjyrën e verdhë e shuajmë me verë. Sapo të avullojë alkooli shtojmë domatet ose salcën, kripën dhe piperin. Vendosim kapakun tenxheres dhe e lëmë gatimin në zjarr të avashtë për rreth 1 orë. Pasi mishi i pulës ka zjerë, e largojmë nga tenxhereja dhe e vendosim në një pjatancë. Ndërkohë kullojmë salcën në sitë, të cilën e vemë sërish në zjarr që të marrë valë duke i shtuar dhe pak miell patate. E përziejmë me telin e vezëve ose me një lugë druri derisa salca të trashet. Vendosim racionet e pulës në salcë për pak minuta dhe më pas e shërbejmë gatimin të ngrohtë.