Një tjetër zarf hapet në ‘Pa Gjurmë’/Emocionon nëna: Burri më ‘plagosi’, plumbi më shpoi

14 Prill 2022, 17:09

Në radhë të parë ju përgëzoj për emisionin. Jam e fokusuar pas ekranit tuaj dhe pothuajse ju ndjek çdo ditë. Shoh ngjarjet që ndodhin edhe në youtube. Sa më shumë ju ndjek aq më tepër ngre edhe unë pikëpyetje për jetën time. Nuk e kam patur të lehtë, përkundrazi kam vuajtur shumë. Viti 1997 më gjen një vajzë të re, me ëndrra dhe dëshira plot, por ngjarjet që ndodhën ma zbehënn përgjithnjë shkëlqimin në sy, deri ditën kur pabesisht një plumb qorr depërtoi tej përtej trupin tim. Nuk do ta harroj kurrë atë moment të datës 23 mars të vitit 1998, kur jeta ime mori një tjetër kthesë. Me dërgimin në spital, gjendja u bë edhe më e vështirë, pasi fillimisht mjekët nuk u dhanë shpresë familjarëve të mi, kur unë rashë në koma. M’u deshën dy javë luftë me qenien time, deri ditën kur munda të hapja sytë. Por bota atë çast për mua ishte përbysur. Një pjesë e trupit tim nuk fuksiononte dhe unë nuk ndieja gjymtyrët të më lëviznin. Një paralizë më kishte marrë këmbën time të majtë. Jeta vazhdonte për shumë nga bashkmoshataret e mia, ndërsa unë përfundova në një karrocë me rrota. I shihja ato tek qeshnin, gëzonin, krijuan familjet e tyre. Por kjo më dha forcë e guxim që unë të vazhdoja luftën për veten dhe të ardhmen time. Më dukej se familjes i isha bërë barrë, pasi dhe mundësitë ekonomike ishin të pakta. Kështu arrita ta pranoja realitetin dhe të mundohesha për ta ndryshuar me këmbën zvarrë. 3 vite pas kësaj ngjarje teksa isha përmirësuar paksa vendosa të krijoja edhe unë familje dhe u martova në Poliçan. Por, kur jeta të merr tatëpjetën nuk ka gjë që e ndal. Unë u ndava pas pak muajve martesë, ndërsa në jetë kishte ardhur drita e syve të mi, vajza ime e vetme. Vuajtja është bërë bashkëudhëtare e jetës sime, kur shoh time bijë të rritet dhe unë e pamundur për t’ia realizuar dëshirat e saj. Zoti më dha një mrekulli dhe unë nuk dua ta humb shansin për t’i dhuruar asaj jetën që meriton. Ajo sot është 19 vjeçe dhe unë dëshiroj ta bëj të lumtur.