‘Pa Gjurmë’ publikon foton e të miturës, pas 24-orëve gjenden në Përmet 2 vajzat

5 Janar 2021, 18:09

Të miturat M. H dhe K. A, të moshës 16-vjeçare, shoqe me njëra-tjetrën, janë parë në shoqërinë e një burri rreth moshës 40-45 vjeç. Ato kanë qenë në Saranë dhe nga aty drejt Përmetit kanë ikur me furgon dhe më pas kanë shkuar në hotel.

Gazetari i Report TV, Sokol Dema raporton se dy vajzat, kanë deklaruar se janë larguar nga banesat pasi prindërit e tyre nuk silleshin mirë me ta. Vajzat kanë thënë se janë larguar me dëshirë. Sipas tyre, nuk ka patur persona të tjerë që t'i kenë detyruar për të ikur.Nëna e njëres prej vajzave, Aida ka marrë në telefon ditën e djeshme në emisionin “Pa Gjurmë” që po transmetohej live në Report Tv ka bërë apel që ta ndihmojnë të gjejnë vajzën dhe të njoftojnë policinë.Ajo fillimisht hodhi dyshime se vajza e saj mund të jetë gënjyer dhe rrëmbyer me qëllim trafikimin. Me lot në sy, kërkoi që kushdo që ka dijeni për vendndodhjen e tyre të lajmërojë, ndërsa kërkoi që të përdorej dhe fotoja e saj për të rënë në gjurmë të vajzave sa më parë.Të miturat kanë lajmëruar prindërit se do të shkonin në banesën respektive të njëra-tjetrës për të uruar Vitin e Ri, dhe kjo ka qenë dhe biseda e fundit me to. Më pas vajzat kanë fikur telefonat, ndërsa prindërit kanë vënë re mungesën e disa parave, kartës së identitetit dhe disa veshjeve, duke lënë të dyshohet se ata janë larguar me dëshirë nga banesat e tyre. Pasi kanë humbur çdo kontakt me to prindërit bënë denoncimin në polici në komisariatin numër 1.

 

“Si rezultat e kontrolleve të vazhdueshme nga DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë dhe Komisariatin e Policisë Përmet, paraditen e sotme u bë e mundur gjetja e dy vajzave të mitura që janë larguar nga banesa më datë 01.01.2021. Vajzat janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe ndodhen në Komisariatin e Policisë Përmet, ku do të merren nga shërbimet e DVP Tiranë dhe do të dërgohen nëpër banesat përkatëse”, thotë  policia.