Role viçi e mbushur nga zonja Albana

18 Dhjetor 2023, 14:27

Role viçi e mbushur

Përbërësit:

  • 1 kg mish viçi tul
  • 100 gr proshutë
  • 100 gr djathë në feta
  • 1 salçiçe
  • 1 karrotë
  • 1 qepë
  • 1 degë selino
  • 3-4 gjethe sherebelë
  • 2 gjethe dafine
  • 1 gotë verë të bardhë
  • Vaj ulliri
  • Pak rozmarinë
  • Kripë, piper

Përgatitja:

Marrim copën e mishit dhe fillojmë t'a presim me kujdes si libër për së gjati rreth e qark duke e hapur në një fetë të vetme. I hedhim pak kripë e piper. E rrahim pak mishin dhe fillojmë t'a mbushim. Vendosim një shtresë me proshutë, më pas një shtresë me copat e djathit dhe mbi të shtojmë salçiçen e prerë në copa. E mbledhim rolenë me kujdes duke futur brenda të gjithë përbërësit dhe e lidhim me fill kuzhine.

Në një tenxhere hedhim vaj ulliri, vendosim mishin në të dhe e skuqim mirë nga të gjitha anët. Shtojmë qepën e qëruar, karrotën, degën e selinosë edhe erëzat me radhë. Kur mishi të ketë marrë ngjyrë e shuajmë me verë të bardhë. E lëmë të avullojë vera e më pas shtojmë 2 gota lëng mishi ose ujë. I hedhim pak kripë e pak piper dhe e mbulojmë me kapak tenxheren. E lëmë mishin të gatuhet në zjarr të ulët. Më pas e lëmë pak të qetësohet, e vendosim mbi një dërrasë ku e presim në copa duke hequr me kujdes fijet që e kemi lidhur. Copat e mishit i vendosim në pjatë dhe i hedhim sipër lëngun e mbetur të kulluar ose sipas dëshirës perimet që janë në lëng mund t'i frulojmë dhe i hedhim sipër mishit.