Shije speciale! Tavë me lakër arme dhe kimë nga zonja Albana

20 Nëntor, 11:07

Tavë me lakër arme dhe kimë

Përbërësit:

  • 1 kg lakër arme
  • 500 gr mish të grirë
  • 100 gr oriz
  • 2 qepë të mëdha
  • 3 domate të grira
  • 4 lugë supe vaj misri
  • 4 lugë supe vaj ulliri
  • 3 lugë salcë domatesh
  • 1 tufë majdanoz
  • 1 lugë kafeje piper i zi
  • 1 lugë kafeje piper i kuq
  • Kripë, pak trumzë

Përgatitja:

Fillimisht veçojmë nga lakra arme të gjitha gjethet e mira të saj, duke i pastruar nga koçanët. Grijmë në kubikë të vegjël qepët dhe i kaurdisim në një tigan me vaj. Skuqim aty edhe mishin e grirë duke shtuar pak kripë, domaten e grirë, salcën e domates dhe i trazojmë të gjitha derisa të formohet një kima e shijshme. Grijmë majdanozin dhe shtojmë orizin dhe trumzën, duke e provuar edhe për kripën. Në tavë shtrojmë nga një gjethe lakër arme në gjithë sipërfaqen. Hedhim mbi to kima dhe përsëri shtrojmë gjethe armeje. Veprojmë kështu me 4-5 shtresa e në fund shtrojmë gjethet më të mëdha e të bukura. E presim në katrorë si pastiço dhe e spërkasim përsipër me piper të kuq dhe 4 lugët e vajit të ullirit. Hedhim ujë të nxehtë deri afër sipërfaqes dhe e vendosim për ta pjekur në 200 gradë, për 45-50 minuta, derisa ta pijë lëngun.