Tavë me perime me salcë djathi nga zonja Albana

22 Mars, 11:00

Tavë me perime me salcë djathi

Përbërësit:

  • 350 gr kunguj
  • 2 lgj vaj ulliri
  • 2 qepë
  • 1 thelpi hudhër
  • 1 lk trumzë
  • 4 domate të mëdha
  • 50 gr djathë i grirë
  • Gjethe borziloku
  • Kripë, piper

Për salcën me djathë:

  • 20 gr gjalpë
  • 2½ lgj miell
  • 300 ml qumësht
  • 70 gr djathë i grirë
  • Pak spec i kuq pluhur

Përgatitja:

Ngrohim vajin në një tigan dhe skuqim qepën për 5 minuta duke e përzier. Shtojmë hudhrën e grirë imët, kungujt të prerë në feta, trumzën, borzilokun, kripën dhe piperin dhe e lëmë të gatuhet për 5 minuta. Ndërkohë përgatisim salcën me djathë, shkrijmë gjalpin në një tigan, shtojmë miellin dhe e skuqim për 2 minuta duke e përzier vazhdimisht. Heqim tiganin nga zjarri dhe shtojmë qumështin pak nga pak duke e përzier. E vendosim tiganin në zjarr dhe e lëmë salcën të ziejë për 2 minuta derisa të fitojë dendësi, duke mos e ndërprerë përzierjen. E heqim përsëri tiganin nga zjarri, shtojmë djathin e grirë, kripën dhe specin e kuq pluhur. Shtrojmë gjysmën e masës së përgatitur të perimeve në një tavë, e mbulojmë me copat e domates, shtrojmë gjysmën tjetër të masës dhe në fund hedhim salcën me djathë. E spërkatim me pak djathë të grirë dhe e vendosim tavën të piqet në furrë të parangrohur në temperaturën 180°C për 30 minuta.