Tutmaç, qofte në petë nga zonja Albana / Gatim tradicional i Shqipërisë së Mesme

26 Dhjetor 2024, 11:43

Tutmaç, qofte në petë

Përbërësit:

Për petët:

  • 500 gr miell
  • 1 vezë
  • 1 gotë ujë
  • Pak kripë

Për mbushjen:

  • 300 gr mish i grirë
  • 1 qepë mesatare
  • 3 lugë gjelle oriz
  • 2 lugë gjelle vaj ulliri
  • Kripë dhe piper i zi
  • Disa degë majdanoz

Për shërbimin:

  • Lëng limoni (opsionale)
  • Vaj ulliri

Përgatitja:

Në një enë të madhe përziejmë miellin me kripën. Shtojmë vezën dhe gradualisht shtojmë ujin duke gatuar brumin derisa të bëhet i butë dhe elastik. E mbulojmë me një pecetë të lagur dhe e lëmë të pushojë për 20-30 minuta. Më pas hapim petët në trashësinë e dëshiruar (zakonisht të holla, por jo shumë). Përgatisim mbushjen, ngrohim vajin në një tigan dhe skuqim qepën derisa të zbutet. Shtojmë mishin e grirë dhe e gatuajmë derisa të marrë ngjyrë. Shtojmë orizin dhe e përziejmë derisa të fillojë të shkëlqejë. Rregullojmë shijen me kripë, piper të zi dhe majdanoz, nëse dëshirojmë. E lëmë mbushjen të ftohet pak. Ndërkohë presim petët në forma katrore të përshtatshme për mbushje. Vendosim një lugë mbushje në mes të çdo katrori dhe i palosim si sarma, duke u siguruar që mbushja të jetë e mbyllur mirë. Vendosim tutmaçët në një tenxhere ose tavë balte, radhë pas radhe, shtojmë pak ujë (ose lëng mishi për më shumë shije) derisa të mbulohen pjesërisht. Mbulojmë enën dhe e lëmë të gatuhet në zjarr të ulët për 40-50 minuta. Sipas traditës, kur t'i shërbejmë mund të shtojmë pak vaj ulliri dhe lëng limoni sipër për më shumë shije.