Një delegacion i Parlamentit Evropian mbërriti në Shqipëri, për situatën aktuale në vend. Por as bisedimet me ta, nuk e kanë tërhequr opozitën shqiptare nga djegia e mandateve, protestat e dhunshme, dhe synimi për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme, përmes krijimit të një qeverie tranzitore.

Lideri demokrat Lulzim Basha, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, dhe aleatët e djathtë, për më shumë se një orë mbajtën takim me delegacionin, por dolën edhe më të vendosur në rrugën e tyre, pa bërë asnjë hap pas - siç theksoi Kryemadhi. E refuzojnë në mënyrë kategorike uljen në negociata me kryeministrin Edi Rama për zgjidhjen e krizës politike.

Në përfundim të takimit me opozitarët, përfaqësuesit e PE, Knut Fleckenstein dhe Luigi Soreca, u shprehën se gjithçka do ta thonë nesër në një konferencë për shtyp. Më tej ata patën një takim në kryeministri me kreun e qeverisë Edi Rama dhe ministrin e jashtëm në detyrë, Gent Cakajn. Por takimi u mbajt me dyer të mbyllura dhe në përfundim nuk pati asnjë deklaratë për mediat.

Delegacioni do të qendrojë deri nesër në orën 10:15, ndërsa në fokus të qëllimit të vizitës së tyre është edhe njohja me procesin e reformave në prag të vendimit për negociatat që do të jepet në qershor.

Delegacioni kryesohet nga Tunne Kelam, ndërsa në përbërje të tij do të jenë; Cristian Preda, Knut Fleckenstein, Juan Fernando Lopez Aguilar, Bas Belder, Ilhan Kyuchyuk dhe Tamás Meszerics.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:44
Rama dhe Cakaj përfundojnë takimin me delegacionin e PE-së

Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj kanë përfunduar takimin me delegacionin e BE-së, i cili po qëndron në Shqipëri për të mbikqyrur situatën aktuale politike në vend. 

Takimi i bërë pa praninë e mediave ka përfunduar pak më parë, ndërkohë që asnjëri prej tyre nuk ka bërë asnjë deklaratë mbi atë çka u fol. 

Nesër në orën 10:15, delegacioni ka njoftuar se do të mbajë një deklaratë lidhur me qëndrimin e tyre në Shqipëri dhe situatën aktuale politike në vend.

 

Ora 18:28
'Dhuna nuk është përgjigje', Basha- OSBE-së: Nuk më interesojnë deklaratat tuaja

Pas përfundimit të mbeldhje me delegacionin e BE në Tiranë, Lulzim Basha është pyetur lidhur me deklaratat e ndërkombëtarëve mbi protestën e opozitës të mbajtur një ditë më parë.

"Unë kurrë nuk do të komentoj deklaratat e askujt sepse kam një punë shumë më të rëndësishme për qytetarët shqiptarë. Nuk më intereson fare se çfarë kuptohet mes rreshtave, poshtë dhe sipër tavolinës. Edhe një herë, unë nuk merrem me komente dhe deklarata të misioneve të huaja. Me durim do t’ju shpjegojmë se përqasja stabilitet mbi demokracinë ka dështuar se sot në Shqipëri nuk ka as demokraci dhe as stabilitet dhe se kjo ka vendosur një autoktrat të lidhur me Niçet e krimi", tha Basha.

Më herët edhe ish-deputeti demokrat, Flamur Noka reagoi kundër deklaratës së OSBE-së, duke e quajtur atë zyrë shtypi të Ramës.

Ora 18:10
Sandër Lleshaj del nga takimi me delegacionin e PE, refuzon prononcimin (VIDEO)

Asnjë koment nga Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj pas përfundimit të takimit të delegacionit evropian në Tiranë.

Ministri është larguar nga foksusi i mediave të cilat ndodheshin jashtë ambienteve të zyrave të Bashkimit Europian në Tiranë, në momentin kur ata janë afruar për të marrë prononcimin e tij lidhur me çështjet e diksutura në takim.

 

Ora 17:32
Basha pas takimit me delegacionin e PE: Folëm hapur dhe shkoqur, ka vetëm një zgjidhje për krizën politike

"Folëm hapur dhe shkoqur me miqtë tanë". Këtë koment dha lideri demokrat Lulzim Basha pas takimit me delegacionin e parlamentit Evropian në Tiranë, një takim ku shoqërohej nga kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, dhe aleatët e djathtë. Basha tha se edhe në takim këmbënguli që e vetmja zgjidhje e krizës janë zgjedhjet e parakohshme.

Ai tha se i paraqiti delegaciont të PE-së, situatën në vend ku sipas tij qeveria është e lidhur me krimin dhe se ka ardhur në pushtet me vota të blera. Një qeveri tranzitore, dhe zgjedhje të lira e të ndershme, janë zgjidhja politike që do t'i kthejë legjitimitetin institucioneve, tha Basha.

"Parlament ilegjitim dhe një qeveri që nuk punon për njerëzit. Ka mungesë informacioni për shkak se Edi Rama ka krijuar një makineri propagande. Ishte e rëndësishme të flisnim hapur dhe shkoqur me miqtë tanë. Nuk na mbetet asnjë mundësi tjetër. Ose të bëhet fasadë më qeverinë e krimit ose t'i tregojmë vendit rrugën për të dalë nga kjo krizë. Zgjidhja e drejtësisë nuk mund të ndodhë përmes përpjekjeve fasadë siç është mashtrimi për të arrestuar Gjush Dakon sa për sy e faqe. Kjo mund të ndodhë vetëm me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Detyra jonë është të shpjegojmë realitetin" theksoi kryedemokrati.

I pyetur nga gazetarët nëse ndërkobmëtarët kanë ndryshuar qëndrimet e ashpra për djegien e mandateve dhe protestat e dhunshme, Basha nuk dha një përgjigje të saktë nëse ky qëndrim kishte ndryshuar pas takimit me ta. Por shtoi se faktori ndërkombëtar gjithmonë e ka pasur shqetësim stabilitetin dhe kjo është e kuptueshme, - tha ai, por fakti që sipas tij nuk ka demokraci, ky stabilitet ka dështuar.

"Shqetësimi i të huajve ka qenë stabiliteti dhe detyra jonë është t'i tregojmë se përqasja e stabilitetit mbi demokracinë ka dështuar. Kriminalizimi ka shkatërruar vendin duke shkaktuar demokracinë dhe shtetin e së drejtës dhe pastaj i është lëshuar shqiptarëve", tha lideri demokrat.

"Kjo varet nga momenti kur miqtë tanë ta kuptojnë se përqasja për demokracinë e cila ka dështuar. Vetë Europa është në proces zgjedhor. Shqipëria është një vend i vogël me një qeveri që prodhon fake neës për të helmuar vendin. I shpjeguam të huajve se ne ndajmë të njëjtat vlerat me ta. Ne e dimë se në Europë nuk shkohet me zgjedhje të vjedhura, apo kur të drejta themelorë të njeriut shkelen. Është një proces që vazhdon dhe do të çojmë deri në fund, jo vetëm ne dhe populli, por edhe socialistët e ndershëm. Unë nuk komentoj deklaratat e askujt. Në Shqipëri nuk ka as demokraci as stabilitet. Gjendja e vendit tonë po rrezikon edhe stabilitetin e rajonit", shtoi ai më tej

Basha mohoi në mënyrë kategorike që mes tij dhe kryeministrit Edi Rama të ketë komunikime.

 "Nuk ka asnjë komunikim mes meje dhe Edi Ramës. Komunikimi i vetëm është me qytetarët shqiptarë", u shpreh lideri i opozitës.

A do të ketë negocim ndërkombëtar për zgjidhjen e krizës?

Basha tha se nuk do të ketë "një 2017 tjetër me Edi Ramën, duke ju referuar krizës politike të dy viteve më parë, dhe negociatave në sajë të paktit "McAllister", paketën që erdhi nga Brukseli dhe u ndërmjetësua nga negociatori amerikan Hoyt Brian Yee.

"Nuk do të ketë një 2017 tjetër me Edi Ramën. Ai e ktheu marrëveshjen në dosjen 339. Ata shkatërruan sistemin zgjedhor. E vetmja zgjidhje është një qeveri pa Edi Ramën. Safet Gjici, Taulant Balla, Vangjush Dako duhet të shkojnë para drejtësisë. Qeveria tranzitore duhet të luftojë krimin e organizuar dhe t'i zgjidhë duart Prokurorisë", përfundoi Basha.

Ndërkohë, në një prononcim të shkurtër për gazetarët, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, tha se nuk do të ketë asnjë hap pas.

"Shqiptarët janë mandatet tona më të pastra. Ne jemi në rrugën e duhur dhe nuk do bëjmë asnjë hap pas. Protesta e 16 shkurtit, protesta e 21 shkurtit dhe protesta e djeshme, tregoi dhe njëherë që opozita është në rrugën e duhur. Jam e bindur që të gjithë ju gazetarët e terrenit, jeni në rrugën e duhur që e paraqisni opozitën në çdo moment prezent në aktivitetet e sajFaleminderit dhe na falni për gazin helmues të djeshëm që përdori Garda e Republikës kundër qytetarëve dhe kundër jush. Gjëra të bukur ado të vijnë për ju dhe shqiptarët", tha Kryemadhi duke ju drejtuar gazetarëve.

Ora 16:21
Përbërja dhe axhenda e delegacionit të PE në Tiranë

Delegacioni i PE përbëhet nga 7 eurodeputetë.
Tunne Kelam (Kryesues)
Cristian Preda
Knut Fleckenstein
Juan Fernando Lopez Aguilar
Bas Belder
Ilhan Kyuchyuk
Tamás Meszerics

Axhenda e delegacionit
16.15 Takim me Lulzim Bashën dhe Monika Kryemadhin
18.10 Takim me kryeministrin Rama dhe Gent Cakajn në selinë e qeverisë
17. 10 Takim me ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj

Ora 16:20
Basha dhe Kryemadhi takojnë delegacionin e PE-së (FOTO)

Ka nisur në zyrat e BE-së në Tiranë, takimi i liderëve të dy partive opozitare Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, me delegacionin e Parlamentit Europian që zbarkoi sot në Shqipëri.