Çfarë duhet të kenë kujdes prindërit për fëmijët e moshës 0-4 vjeç

14 Prill 2019, 09:03

Në emisionin “Këndi i Ekspertit” në Report TV, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në rubrikën “Mjeku im” këtë të javë ka qenë e ftuar Ilsa Kraja mjekja pediatre pranë Spitalit SALUS. Mjekja ka folur për një çështje shumë të ndjeshme për qytetarët siç janë problematikat e fëmijëve të vegjël të moshës 0-4 vjeç. Ekspertja jonë ka shpjeguar se çfarë duhet të kenë kujdes prindërit që kanë fëmijë të kësaj moshe. Në fund doktoresha Ilsa Kraja u është përgjigjur pyetje live në Report TV.

Sot do të flasim për problematikat e fëmijëve të vegjël të moshës 0-4 vjeç. Çfarë duhet të kenë kujdes prindërit që kanë fëmijë të kësaj moshe?

Kur bëhet fjalë për fëmijët dhe veçanërisht për ata të moshës 0-2 vjeç, problematikat, frika e dyshimet janë shumë të mëdha. Është një moshë me një dinamikë të jashtëzakonshme. Në qoftë se flasim për vitin e parë të jetës, është periudha e rritjes më të vrullshme në jetën e një individi. Në vitin e parë të jetës, fëmijët trefishojnë peshën e lindjes, zgjaten me 25 cm. Nga një foshnjë krejt e vogël, që është komplet e varur nga mami, në moshën 1 vjeç ngrihen në këmbë dhe fillojnë e bëhen gjithnjë e më të pavarur. Fillojnë të flasin 2-3 fjalë dhe shohim një individ tashmë të rritur, që fillon të bëhet autonom. Gjithnjë e më tepër po i jepet rëndësi njëmijë ditëve të para të jetës.

Çfarë ndodh në këto njëmijë ditë?

Këto njëmijë ditë janë në të vërtetë brumosja, formimi, formatimi në të vërtetë, i një individi që është shumë i vogël në fizik dhe në zhvillim në 3 vitet e para, por që është baza e formimit si nga ana fizike, ashtu edhe nga ana psikologjike dhe e zhvillimit të trurit, në të gjitha vitet pasardhëse. Kështu që gjithnjë e më tepër, në të gjitha konferencat e fundit bëhet fjalë për rëndësinë që duhet t’i japim njëmijë ditëve të para të jetës.

A duhet të kenë kujdes prindërit ndaj alergjive të fëmijëve? Fëmija lind alergjik? Si qëndron problemi i alergjisë?

Në fakt për alergjinë po diskutohet gjithnjë e më tepër. Është një temë për të cilën më pëlqen shumë të flas. Te fëmijët që janë të moshës 0-3 vjeç, pra grupmosha për të cilën po diskutojmë sot, në qoftë se bëhet fjalë për alergji, atëherë ajo është alergjia ushqimore. Ekzistojnë dy lloje alergjish: alergjia ushqimore dhe alergjia inhalatore, të cilën e marrim nëpërmjet ajrit. Në të vërtetë, sistemi imun i një bebeje është i papërgatitur që në moshën 0-3 vjeç të japë të ashtuquajturat alergji inhalatore, pra që shprehen përgjithësisht me të teshtitura, me lotim të syve, me skuqje të syve, me sekrecione nga hundët. Ndërkohë që me një numër shumë, shumë të vogël rastesh, ekzistojnë të ashtuquajturar alergji ushqimore, të cilat, në pjesën më të madhe të rasteve, bëhet fjalë për alergjinë nga veza, meqenëse është një produkt i cili haset rëndom në dietën e një individi, por te një bebe kjo është problematika kryesore lidhur me alergjinë.

Kam nipin tim në moshën 2 vjeç e gjysmë, por ende nuk flet me fjalë të qarta e të plota. Në fakt nipi nuk jeton në Shqipëri, por në Holandë. Prindërit e çojnë në kopsht fëmijësh. Në shtëpi shqip flet vetëm vajza ime, pra mamaja e nipit. Ndoshta tek ai ndikon përdorimi i dy gjuhëve sepse në kopsht flitet gjuha holandeze.

Kjo është një pyetje shumë e mirë dhe në të vërtetë është temë e ditës. Sigurisht, gjithnjë e më tepër, po hasim fëmijë të cilët flasin me vonesë. Sigurisht që nuk ka më skema, që të thuash se fëmijë në një moshë të caktuar do të thotë një fjalë të caktuar. Por ne bëjmë një bilanc të përgjithshëm të ndërveprimit, i cili është shumë i rëndësishëm dhe pastaj të fjalëve që thotë fëmija në varësi të moshës në të cilën është. Problematikat më të mëdha që po hasim janë ato te fëmijët bilingualë, pra fëmijë që rriten nga prindër, të cilët flasin dy gjuhë të ndryshme, por jo vetëm kjo. Ne gjithnjë e më tepër hasim fëmijë, të cilët gjatë gjithë kohës në shtëpi janë në kontakt me video, me këngë, me imazhe, me filma, të cilat janë në gjuhën angleze që është më e përgjithshmja nga gjuhët e huaja. Kjo mund të jetë një ndër arsyet e vonesës në të folur. Pra, bilingualizmi ose ekspozimi gjatë gjithë kohës me teknologjinë në një gjuhë, e cila nuk është gjuha mëmë. Në këto raste fëmijët çorientohen sepse nuk dinë të diferencojnë sesi të flasin, si të shprehen, sepse informacionin e marrin në dy gjuhë. Kështu që në shumicën dërrmuese të rasteve kjo është një temë e përditshme në ambulatore.

Kjo sjell vonesa në të folur, por nuk është problematike.

Sigurisht që fëmija duhet parë në tërësi, duhet parë në ambulator dhe gjëja e parë që duhet të shohim është ndërveprimi. Një fëmijë i cili ndërvepron, që ddo të thotë që zbaton komanda, plotëson disa nga ato kriteret që ne kemi përshëndet me dorë, tregon me gisht, në momentin që i jep një lodër tregon intereson për ambientin, e të tjera, pra ka një ndërveprim të mirë, nuk shqetësohemi për të folurin, por sigurisht që ne thjesht po diskutojmë në mënyrë virtuale, sepse duhet parë konkretisht në ambulator gjatë vizitës, për të përcaktuar në të vërtetë arsyen.

Kam një mbesë në Greqi. Është 2 muajshe dhe kur qan, në disa raste të rralla, meket. Mund të më ndihmoni?

Ndjeshmëria e gjysheve gjithnjë është shumë e madhe. Në moshën 2 muajshe, në të vërtetë, fëmijët arrijnë kulmin e të ashtuquajturës kolika infantile, të cilat janë ato dhembjet e barkut të moshës, që përkojnë me një mospërputhje ose më mirë të them formim i shtuar i gazrave në zorrën e tyre, të cilat duke qenë se vijnë nga një ambient që është komplet steril në barkun e mamit dhe çdo ushqim e marrin nëpërmjet kordonit, tani përballen me një ushqim që vjen nga jashtë nëpërmjet traktit gastrointestinal dhe organizimi duhet që të krijojë një lloj ekuilibri për t’i pranuar të gjitha llojet e ushqimeve dhe të mësohet me to. Kështu që krijohen ato të ashtuquajturat kolika infantile, të cilat nnë moshën 2-3 muajshe arrijnë kulmin. Këto janë dhembje shumë të forta, që bebet i përjetojnë me të qara të forta. Përgjithësisht dhembjet e barkut shprehen gjatë pasdites. Bebet nuk mund të flasin dhe mënyra e vetme e tyre për t’u shprehur është e qara. Mendohet që këto dhembje shfaqen më tepër pasdite për arsyen se qumështi i gjirit me kalimin e orëve, nga mëngjesi deri pasdite, fillon dhe i humbet ato vetitë e tij për të plotësuar kërkesat dhe nevojat e bebes. Nga ana tjetër, pasditeve mamatë janë më të lodhura dhe lodhja dhe stresi i tyre perceptohet edhe te bebet. E qara me mekje haset rëndom, por në këto raste, ndonjëherë, rekomandohet që ne të përjashtojmë një problematikë organike, rekomandohet që të bëhet një eko kardiake, sepse nganjëherë, në një përqindje shumë të vogël rastesh, mekja mund të jetë e lidhur me ndonjë problem kardiak. Këto janë këshilla të përgjithshme që unë po jap, por asnjëherë nuk mund të jemi 100% të saktë pa ekzaminuar fëmijën.

Kam një nip 2 vjeç. Deri tani ai nuk shprehet, nuk flet. A ka mundësi të më shpjegoni ndonjë gjë?

Edhe ky rast është pak a shumë i lidhur me situatën që ne diskutuam më parë. Kjo është një temë shumë delikate dhe do ta prek vetëm në mënyrë sipërfaqësore sepse, siç e thashë, është e vështirë që të jap komentet e mia vetëm nëpërmjet një telefonate. Fëmija duhet parë në tërësi, duhet parë në ndërveprim. Ne përgjithësisht, në ambulatoret tona, zbatojmë të ashtuquajturin Emchat, që është një listë pyetjesh, është një protokoll standard me të cilin fillohet vlerësimi neurologjik i të folurit dhe i ndërveprimit te fëmijët, për të hedhur dyshimet ose për të përjashtuar problematikat me vonesat në të folur, me elementet e autizmit, e të tjera. Kështu që duhet parë fëmija. Siç e thashë edhe më parë, në qoftë se fëmija ka ndërveprim, pra që zbaton komanda, të shikon në sy më shumë sesa 2-3 sekonda, në momentin që i jep një objekt në dorë ai duhet të bëjë lidhjen e objektit me veprimin, p.sh., në qoftë se ti i jep një telefon, ai duhet ta vendosë në vesh sikur po flet, në qoftë se i jep një laps duhet të bëjë sikur po shkruan, në qoftë se i jep disa kuba, një fëmijë i moshës 1 vjeç e gjysmë duhet të bëjë një kala me tre kuba. Pra, duhet vlerësuar në tërësi fëmija dhe nuk duhet të nisemi vetëm nga një element për të gjykuar.

Cila është mosha që mendohet se fëmija duhet të flasë?

Atëherë, në moshën 12 muajshe, fëmija duhet të fillojë dhe të thotë 3-4 fjalë si, mami, babi etj. Por në të vërtetë, ato belbëzimet e para fillojnë që në moshën 4-5 muajshe. Por këto belbëzime fëmija i thotë pa kuptim, kurse në momentin që mbush 1 vjeç, i shpreh në mënyrë shumë ndërvepruese, pra i shpreh me kuptim.

Kjo është një temë e ditës. Ne gjithnjë e më tepër hasim një tendencë të prindërve për të mos i çuar fëmijët në çerdhe ose në kopsht, me idenë se do të sëmuren. Në fakt, unë u sugjeroj të gjithë prindërve që t’i çojnë fëmijët në çerdhe e në kopshte, në ambiente ku edhe pse mund të sëmuren, do të krijojnë imunitet. Një fëmijë nuk e krijon imunitetin duke qëndruar në shtëpi. Duke pasur frikë se mos sëmuren, nga ana tjetër, prindërit i kufizojnë fëmijët nga një zhvillim intelektual, nga zhvillimi i të folurit dhe i ndërveprimit. Këto janë shumë më të rëndësishme sesa një sëmundje që në shumicën e rasteve është banale.