Kodi i punës, paga e siguruar dhe detyrimet e punëdhësit ndaj punonjësit

31 Maj 2019, 09:57

Në emisionin e mirënjohur “Këndi i Ekspertit” në Report TV, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në rubrikën “Pensioni im”, si çdo javë ishte i ftuar eksperti i problematikave të pensioneve Prof. Dr. Fadil Kepi. Eksperti ynë ka folur këtë javë për Kodin e Punës. Profesor Kepi ka shpjeguar me hollësi përfitimet dhe detyrimet që ka një i punësuar nga Kodi i Punës. Ai ka shpjeguar se çfarë është Kodi i Punës, duke u futur më tej në detaje të tij duke u dhënë përgjigje pyetjeve si: Cilat janë dokumentet që duhet të paraqesë një person kur punësohet? Sa është orari i punës? Sa është paga mbi të cilën punonjësi do të sigurohet? Po kur një punonjës punon jashtë orarit të punës, si paguhet? Sa ditë është leja e zakonshme e detyrueshme? Cilat janë masat administrative? Më pas Fadil Kepi u është përgjigjur pyetje live nga qytetarët në Report TV për problematika të ndryshme që ata kanë rreth çështjeve të pensioneve.

Çfarë duhet të dimë për Kodin e Punës? Çfarë është Kodi i Punës? Cilat janë dokumentet që duhet të paraqesë një person kur punësohet? Sa është orari i punës? Sa është paga mbi të cilën punonjësi do të sigurohet? Po kur një punonjës punon jashtë orarit të punës, si paguhet? Sa ditë është leja e zakonshme e detyrueshme? Cilat janë masat administrative?

Sipas Kodit të Punës, të gjitha qendrat e punës shtetërore dhe private, pra punëdhënësit, janë të detyruar që të bëjnë një kontratë pune me punëmarrësit. Në kontratën e punës duhet që të shënohen detyrimisht: data e nënshkrimit të kontratës, orari i punës, orari i fillimit të punës, sa orë duhet të punojë punëmarrësi gjatë muajit, cila është paga bruto mbi të cilën do të paguhen kontributet e sigurimeve shoqërore, por me të cilën do të paguhen edhe punëmarrësi, sa janë orët që mund të punojë jashtë orarit punëmarrësi, kush ka të drejtë të punojë jashtë orarit dhe kush përjashtohet, sa paguhet punëmarrësi kur punon jashtë orarit të punës. Gjithashtu përcaktohet edhe leja e zakonshme, sa duhet të jetë ajo. Po leje suplementare për ngjarjet që mund t’i ndodhin njeriut gjatë jetës. Po të drejtë leje pa rrogë, a ka të drejtë punëmarrësi që të marrë? Pastaj përcaktohen edhe masat administrative, si edhe kur shlyhet masa administrative.