Titujt në përdorim, si dhe ku bëhet regjistrimi i pronësisë

22 Maj 2019, 09:27

Në emisionin “Këndi i Ekspertit”, në Report TV, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në Rubrikën “Prona Ime” ka qenë i ftuar eksperti i çështjeve të pronave Gjergji Begaj, drejtues i Studios Ligjore “Bylis”. Eksperti ynë ka folur fillimisht për regjistrimin e e titujve në përdorim, pra për nenin 59. Begaj ka sqaruar se çfarë kuptojmë me titull pronësie në përdorim dhe se cilat pasuri hyjnë në kategorinë e titujve të pronësisë në përdorim. Ai ka shpjeguar se në cilin institucion regjistrohen këta tituj pronësie dhe se kush ka të drejtë që të marrë një pronë në përdorim. Më pas Gjergji Begaj u është përgjigjur pyetje që kanë mbërritur nga qytetarët live në Report TV.

Sot do të flasim për regjistrimin e titujve në përdorim, pra për nenin 59. Çfarë kuptojmë me titull pronësie në përdorim? Cilat pasuri hyjnë në kategorinë e titujve të pronësisë në përdorim?

Në cilin institucion regjistrohen këta tituj pronësie? Kush ka të drejtë që të marrë një pronë në përdorim?

Edhe kjo temë për të cilën do të flasim sot, ashtu sikurse edhe të gjitha temat e tjera të mëparshme që kemi trajtuar, ka rëndësinë e saj. Neni 59, pra regjistrimi i pronave në përdorim, do të thotë që, të gjitha ato prona, të cilat kanë një titull pronësie, por që janë pronësi shtet dhe quhen në përdorim, d.m.th. jepen me qira për njëfarë kohe të caktuar, gjithmonë nga shteti, dhe nuk janë certifikuar. Regjistrimi i tyre bëhet në kartelë, d.m.th. është hapur kartelë, por jo certifikatë. Kjo do të thotë që janë disa prona, jo të gjithë titujt e pronësive që mund të jepen janë në përdorim. Ato më të theksuarat janë tokat bujqësore, pyje, magazina që janë në pronësi të shtetit dhe i lind e drejta institucioneve që këto prona t’ua japin individëve fizikë ose subjekteve që janë të interesuara, që i përdorin për biznes. Këtu varet koha e afatit të dhënies së afatit në përdorim e biznesit që do të kryejë personi ose subjekti, por afati ose kohëzgjatja më e gjatë e dhënies në përdorim shkon deri në 99 vite. Pra kjo do të thotë që përdoren për një qëllim të caktuar të biznesit. Kështu që, të gjitha ato prona, të cilat kanë këtë titull pronësie, mund të mbahen në përdorim nga shteti, por mundet që edhe ndonjë nga këto prona të dalë në shitje, në ankand nga shteti.