Si bëhet regjistrimi i mjediseve të përbashkëta në ndërtesa

6 Qershor 2019, 09:38

Në emisionin “Këndi i Ekspertit”, në Report TV, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në Rubrikën “Prona Ime” ka qenë i ftuar eksperti i çështjeve të pronave Gjergji Begaj, drejtues i Studios Ligjore “Bylis”. Eksperti ynë ka folur fillimisht për mjediset e përbashkëta në ndërtesa. Begaj sqaron se çfarë është neni 52, cilat sipërfaqe konsiderohen të përbashkëta dhe si ndahet një godinë e përbashkët. Ai ka shpjeguar edhe se në cilin dokument të Kadastrës regjistrohet sipërfaqja e përbashkët, në kartelë apo në certifikatë. Më pas Gjergji Begaj u është përgjigjur pyetje që kanë mbërritur nga qytetarët live në Report TV.

Sot do të flasim për nenin 52, regjistrimi i mjediseve të përbashkëta në ndërtesa. Çfarë është neni 52? Cilat sipërfaqe konsiderohen të përbashkëta dhe ku? Si përcaktohet në m2? Si ndahet një godinë e përbashkët? Në cilin dokument të Kadastrës regjistrohet sipërfaqja e përbashkët, në kartelë apo në certifikatë?

Ne kemi folur për shumë tematika të pronave, d.m.th. është i pafund sistemimi, është një oqean i tërë. Sot kemi zgjedhur një temë me shumë rëndësi për të gjithë qytetarët, sidomos për ata që kanë blerë apartamente, e theksoj këtë, pas viteve 1991-1992, sepse në këtë kohë ka filluar edhe regjistrimi i ambienteve të përbashkëta.