Si diagnostikohen dhe si trajtohen sëmundjet e zemrës?

17 Qershor 2019, 07:58

Në emisionin e mirënjohur “Këndi i Ekspertit” në Report TV, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në rubrikën “Mjeku im” këtë të javë ka qenë e ftuar Daniela Teferiçi, mjeke kardiologe,

pranë QSUT-së. Ekspertja jonë ka folur për sëmundjet e zemrës. Ajo ka sqaruar se çfarë është sëmundja e zemrës dhe cilët janë faktorët e rrezikut. Doktoresha Daniela Teferiçi ka sqaruar se si diagnostikohen dhe si trajtohen sëmundjet e zemrës dhe çfarë masash duhen marrë për t’i parandaluar këto sëmundje. Gjithashtu ajo ka shpjeguar edhe se cilat janë format klinike që shoqërojnë atakun kardiak. Më pas mjekja u është përgjigjur pyetjeve live të qytetarëve.

Çfarë është sëmundja e zemrës? Nga se shkaktohet ajo?

Duhet të themi sëmundjet e zemrës, sepse zemra ka disa sëmundje, të cilat përmblidhen në termin sëmundjet kardiovaskulare.

Çfarë përmbledh në vetvete termi sëmundje kardiovaskulare?

Përmbledh sëmundjen e enëve të gjakut, të cilat ushqejnë zemrën; përmbledh sëmundjen e muskulit të zemrës; sëmundjen e valvulave të zemrës. Këto sëmundje mund të jenë sëmundje të fituara apo sëmundje të lindura. Pra, është një term shumë i gjerë. Gjithashtu këtu futen edhe sëmundjet e enëve të gjakut periferike dhe sëmundjet e enëve të gjakut të trurit. Por ne do të përqendrohemi te sëmundjet që kanë të bëjnë me zemrën në vetvete.

Sëmundjet kardiovaskulare zënë vendin e parë për sa i përket vdekshmërisë në botë dhe në vendin tonë. Pra, janë gjithmonë shkaktari kryesor në vdekshmërinë në botë. Dhe nga sëmundjet e zemrës, ajo që ka peshën kryesore në këtë vdekshmëri, është sëmundja arterosklerotike e enëve të gjakut që ushqejnë zemrën. Pra, është ajo sëmundje, e cila kur përparon shumë shkakton infarkt akut miokardi, që dihet se është një sëmundje e cila shpeshherë ka një përfundim fatal, kur nuk ndërhyhet në kohë.