Ekzema/ Si diagnostikohet dhe si kurohet sëmundja e lëkurës

10 Qershor 2019, 06:55

Në emisionin e mirënjohur “Këndi i Ekspertit” në Report TV, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në rubrikën “Mjeku im” këtë të javë ka qenë e ftuar Loreta Kuneshka, mjeke dermatologe pranë QSUT-së. Ekspertja ka folur për një sëmundje të lëkurës që është mjaft e përhapur si ekzema. Ajo fillimisht ka sqaruar se çfarë është ekzema dhe cilat janë shenjat që tregojnë se vuajmë nga kjo sëmundje dhe si diagnostikohet ajo. Doktoresha ka shpjeguar se si trajtohet ekzema dhe si kurohet kjo sëmundje. Më pas mjekja Loreta Kuneshka u është përgjigjur pyetjeve live të qytetarëve për problematika të tjera.

Sot do të flasim për ekzemën. Çfarë është ekzema?

Cilat janë shenjat që tregojnë se vuajmë nga kjo sëmundje dhe si diagnostikohet ajo? Si trajtohet dhe si kurohet ekzema?

Çfarë është ekzema?

Ekzema është një nga sëmundjet më të përhapura dermatologjike, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën. Pavarësisht pamjeve që mund të keni parë dhe që fillimisht mund t’ju kenë frikësuar, ekzema është një sëmundje e lëkurës dhe mbetet vetëm në lëkurë, d.m.th. nuk prek organet e brendshme dhe nuk rrezikon jetën e pacientit. Kjo është ana pozitive e kësaj sëmundjeje. Në fazat e para të saj, ekzema quhet ndryshe edhe dermatit atopik. Është një sëmundje e trashëgueshme. Ka persona që, për fatin e tyre të keq, kjo sëmundje iu shfaqet që kur lindin apo që në muajt e parë të jetës. Ka edhe persona të tjerë, të cilëve iu shfaqet në moshë madhore. Sëmundja ka komponentin e trashëgimisë, pastaj faktorë të tjerë që mund të ndikojnë në shpërthimin e saj, janë edhe alergjitë, sepse në bazë të kësaj sëmundjeje është fenomeni alergjik. Këtu mund të përmend kushtet mjedisore ose personat që mund të jenë alergjikë nga ambienti, nga pluhurat, nga elementë të tjerë që shkaktojnë alergji edhe në organet e tjera, si p.sh. polenet e luleve që shkaktojnë alergji në organet e frymëmarrjes.