Këndi i Ekspertit/ Infeksionet e lëkurës, simptomat dhe si parandalohen

21 Korrik 2019, 14:46

Në emisionin e mirënjohur “Këndi i Ekspertit” në Report TV, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në rubrikën “Mjeku im” këtë të javë ka qenë e ftuar Erinda Kollçaku, mjeke dermatologe pranë QSUT-së. Doktoresha ka folur për infeksionet e lëkurës gjatë stinës së verës. Ajo ka sqaruar se cilat janë infeksionet më të zakonshme gjatë kësaj stine dhe cilat janë simptomat kryesore. Ekspertja jonë ka sqaruar se si parandalohen dhe si trajtohen këto infeksione në përgjithësi, por është ndalur edhe në veçanti duke shpjeguar se çfarë duhet të kenë kujdes ata që kanë nishane e njolla në lëkurë. Më pas mjekia dermatologe Erinda Kollçaku u është përgjigjur pyetje live të qytetarëve.

Cilat janë infeksionet që mund të na prekin gjatë stinës së verës?
Lëkura është organi i ekspozuar ndaj agresorëve të jashtëm natyrorë, siç janë dielli dhe i ftohti, dhe është shumë e ndryshueshme në varësi të temperaturave në të cilat ekspozohet. Kështu, duke u ekspozuar, kemi një rrezikshmëri të lartë për të krijuar infeksionet e lëkurës gjatë verës, po ashtu edhe problemet që i përkasin stinës së dimrit. Gjatë stinës së verës kemi infeksionet e strukturave të lëkurës, e cila përbëhet nga tri shtresa: shtresa sipërfaqësore epiderma, derma dhe subderma. Kështu, në varësi të shtresës që preket dhe në varësi të shkaktarit që e prek atë, lëkura krijon inflamacionin e saj duke krijuar infeksione të ndryshme. Inflamacioni i lëkurës ndryshon në varësi të agjentit patogjen.