Këndi i Ekspertit/ Pensionet e diplomatëve, si përfitohen dhe dokumentat

8 Qershor 2019, 15:59 | Përditesimi i fundit: 2019-06-08 16:00:50

Në emisionin e mirënjohur “Këndi i Ekspertit” në Report TV, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në rubrikën “Pensioni im”, si çdo javë ishte i ftuar eksperti i problematikave të pensioneve Prof. Dr. Fadil Kepi. Eksperti ynë ka folur këtë javë për pensionet e punonjësve të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Ai ka shpjeguar se si e përfitojnë diplomatët pensionin dhe se cili është dokumentacioni që u nevojitet për të. Gjithashtu profesor Fadil Kepi sqaron se si përfitohen pensionet suplementare nga familjarët e diplomatëve dhe si llogariten ato. Më pas eksperti ynë u është përgjigjur pyetje live nga qytetarët në Report TV për problematika të ndryshme që ata kanë rreth çështjeve të pensioneve.

Sot do të flasim për pensionet e punonjësve të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Si e përfitojnë diplomatët pensionin? Cili është dokumentacioni që u nevojitet për pension? Si përfitohen pensionet suplementare dhe si llogariten?

Të gjithë personat, të cilët kanë kryer apo vazhdojnë të kryejnë funksione diplomatike, si ambasador, konsull, atashe, sekretar ambasade dhe punonjës të tjerë pranë ambasadave tona, paguajnë kontribute të sigurimeve shoqërore edhe për pension pleqërie edhe për pension suplementar. Nga rroga që ata marrin nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, 3%-5%, sipas funksioneve që ata kryejnë si funksionarë në ambasadat tona, u mbahen nga rroga për pensionet suplementare, përveç kontributeve që u mbahen për pensionet e pleqërisë.

Pasi këta persona mbarojnë së kryeri funksionet, në përgjithësi, ose përpara se të shkojnë ambasadorë apo në detyra të tjera, siç thashë, konsuj, atashe, këshilltarë në ambasada, punojnë në Ministrinë e Punëve të Jashtme, pra, kualifikohen, përveç studimeve të larta që kanë kryer dhe gjuhëve të huaja që kanë mësuar.

Të gjitha këto shërbime apo funksione që ata kryejnë, përkthehen në pensione në të ardhmen?

Të gjitha këto vite shërbimi apo funksione, atyre u njihen si vjetërsi pune për pension sepse paguajnë dy lloje kontributesh. Mirëpo ka raste, kur burri emërohet ambasador dhe gruaja, detyrimisht, ndërpret punën e saj dhe e shoqëron atë. Ose ka raste kur gruaja është pa punë dhe e shoqëron bashkëshortin. Në këtë rast Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, do të paguajë kontributet e sigurimeve shoqërore edhe për bashkëshorten. Natyrisht që ajo nuk do të përfitojë pension suplementar sepse nuk kryen ndonjë funksion.