Flet specialisti/ Fadil Kepi: Si ankimohen gabimet në llogaritjen e pensioneve

21 Korrik 2019, 14:44

Në emisionin “Këndi i Ekspertit” në Report TV, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në rubrikën “Pensioni im”, si çdo javë ishte i ftuar eksperti i problematikave të pensioneve Prof. Dr. Fadil Kepi. Eksperti ynë këtë javë nuk është ndalur në një temë të veçantë por u është përgjigjur pyetje live të qytetarëve. Disa nga temat më interesante të prekura kanë qenë ajo e mënyrës së ankimimit për një gabim të mundshëm që mund të jetë bërë në llogaritjen e pensionit apo për çfarëdo arsye si dhe se çfarë përfitoni kur paguani dy kontribute sigurimesh shoqërore.

Jam një mësuese nga Tirana. Punoj në shkollë publike. Dal në pension në vitin 2020. Plotësoj 36 vite pune dhe më duhen edhe 8 muaj. A mund të vazhdoj të punoj që t’i plotësoj edhe 8 muajt?
Ka një Vendim të Këshillit të Ministrave me nr. 478, datë 16 qershor 2010, i cili thotë: “Punonjësit që punojnë në institucione buxhetore, i ndërpresin menjëherë marrëdhëniet e punës, ditën kur potësojnë moshën e daljes në pension”. Për diferencën e viteve të punës, zonja ka të drejtë që të paguajë kontributin vullnetar të sigurimeve shoqërore. Sqaroj edhe një herë se të gjitha mësueset femra, këtë vit deri në fund të muajit dhjetor, dalin në pension në moshën 60 vjeçe e 10 muaj dhe për vjetërsi pune u duhen 15 vite deri në 36 vite e 8 muaj punë të siguruar. Meqenëse zonja del në pension vitin tjetër, pra në moshën 61 vjeçe sepse shtohen edhe 2 muaj, atëherë në vitin 2020 për pension të plotë, duhen si vjetërsi e plotë pune 37 vite punë të siguruara në vendin tonë, që nga mosha 16 vjeç dhe përfshihet këtu periudha e trajtimit me raporte mjekësore të paguara, periudha e studimeve të larta me shkëputje nga puna e vërtetuar kjo me fotokopjen e noterizuar të diplomës. Qendra e punës është e detyruar me ligj, që ta njoftojë zonjën 3 muaj përpara, sipas Kodit të Punës, për daljen e saj në pension. Zonja nuk duhet të mbajë shpresa se mund të punojë qoftë edhe një ditë më shumë.