Infeksioni i veshit të mesëm, nga se shkaktohet dhe si kurohet

26 Maj 2019, 12:20 | Përditesimi i fundit: 2019-05-26 12:20:07

Në emisionin e mirënjohur “Këndi i Ekspertit” në Report TV, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në rubrikën “Mjeku im” këtë të javë ka qenë e ftuar Brikena Danaj, mjeke ORL, specializante në QSUT “Nënë Tereza”. Mjekja ka folur për infeksionet e veshit të mesëm. Ajo ka sqaruar se çfarë është otiti medi akut, pra veshi i mesëm dhe se nga se shkaktohet infeksioni i veshit të mesëm. Doktoresha ka shpjeguar se cilat janë shkaqet dhe faktorët e riskut të kësaj sëmundjeje dhe se si mjekohet infeksioni i veshit të mesëm akut te moshat pediatre. Më pas mjekja Brikena Danaj u është përgjigjur pyetjeve live të qytetarëve.

Shumë njerëzve u ka ndodhur që të kenë probleme me veshin e mesëm, prandaj edhe sot do të flasim për këtë patologji, për infeksionet e veshit të mesëm.

Çfarë është otiti medi akut, pra veshi i mesëm? Nga se shkaktohet infeksioni i veshit të mesëm? Cilët janë shkaqet dhe faktorët e riskut të kësaj sëmundjeje? Si mjekohet infeksioni i veshit të mesëm akut te moshat pediatre?

Një nga problemet më të shpeshta që ne kemi në shërbimin tonë të ORL-së është pikërisht otiti medi akut, infeksionet e veshit të mesëm, akute, të cilat shkaktohen nga baktere ose nga viruse, të cilat bëhen patogjene për krijimin e infeksioneve të ndryshme në veshin e mesëm. Otitin e kemi në dy lloje: otiti medi akut viral dhe otiti medi akut bakterial.

Otiti medi akut viral paraprin pikërisht rrufën e zakonshme, rrufën stinore, me infeksione të sipërme të traktit respirator, i cili prek si moshat pediatrike, ashtu edhe moshat e rritura. Kryesisht ka një prekje më të gjerë te moshat pediatrike, sidomos te mosha parashkollore, duke qenë se fëmijët e kësaj moshe kanë një kontakt më të shpeshtë me infeksionet e stinës sepse janë në grupime. Për këtë arsye edhe infeksionet virale përhapen më shpejt.

Në rastin kur fëmija paraqitet te mjeku otojatër, veshi ekzaminohet edhe me otoskopi. Infeksioni i veshit shoqërohet me dhembje dhe fëmijët grinden. Ata ose vendosin dorën te veshi ose e thonë me fjalë që ndiejnë dhembje.

Pse pikërisht ky infeksion prek fëmijët?

Sepse, siç e thashë edhe më lart, fëmijët janë më të predispozuar për t’u prekur nga infeksionet e traktit të sipërm respirator. Otiti medi akut shoqërohet pikërisht me këto infeksione.

Otoskopia është një mënyrë për të ekzaminuar veshët e fëmijëve, por edhe të të rriturve. Me anën e otoskopisë mjeku shikon membranën timpanike, e cila në rastin e otitit medi akut skuqet dhe enjtet. Pastaj, sigurisht që mjeku otojatër jep mjekimin e duhur.

Cilat janë simptomat te të rriturit?

Një infeksion akut të veshit të mesëm, te një i rritur shkakton dhembje veshi, ulje të dëgjimit, në disa raste edhe sekrecione seroze nga veshi. Kjo do të thotë që personi ka një infeksion viral ose një infeksion bakterial. Këtu duhet që të bëjmë një diferencim të infeksionit viral nga ai bakterial.

Një infeksion viral paraprin rrufën e zakonshme, rrufën stinore, infeksionet e sipërme respiratore dhe zgjat 3 javë. Pra, deri në 3 javë ne kemi të bëjmë me një otit media akut. Si fillim, pacienti ndien dhembje të lehtë veshi, e cila mund të zgjasë deri në 3 ditë. Edhe vetë pacienti në këtë rast e di që duhet të përdorë trajtimin analgjezik për të qetësuar dhembjen e veshit. Në këto raste infeksioni kemi edhe temperaturë deri në 38o C. Në qoftë se këto simptoma rëndohen më shumë dhe temperatura e trupit rritet më shumë duke kaluar vlerën e 39o C dhe më tepër, deri në 5 ditë, atëherë ndodhemi përpara një situate ku kemi të bëjmë me një mbivendosje të një bakteri, pra kemi të bëjmë me një otit media bakterial. Në këtë rast pacienti duhet të paraqitet patjetër te mjeku specialist për të marrë trajtimin e duhur mjekësor, pra një terapi me antibiotikë.

Jam nga Lushnja. Kam probleme me veshin e djathtë. Kisha një bllokim që më ndodhi pasi bëra dush. Kam disa ditë që mjekohem por nuk kam asnjë përmirësim. Çfarë duhet të bëj?

Një nga simptomat e otitit media akut është edhe ndjesia e bllokimit të veshit. Meqenëse zotëria ka kaluar 3 ditë me këtë gjendje, atëherë e ka kaluar stadin e një otiti viral. Kështu që unë i këshilloj që të paraqitet pranë një mjeku otojatër për t’u ekzaminuar më saktë dhe për të marrë terapinë e duhur mjekësore. Ndoshta ka temperaturë dhe e ka të nevojshme terapinë me antibiotikë. Me sa na tha, zotëria përdorte një ilaç me pika, të cilin duhet ta vazhdojë, por patjetër duhet që të paraqitet te mjeku specialist.

Banoj në Tiranë dhe jam në moshë të thyer. Kam dy vite që më kruhen shumë veshët. Kam shkuar te mjeku dhe më ka thënë që kam një lloj ekzeme. Kam përdorur mjekimin e dhënë nga mjeku, por nuk kam pasur përmirësim.

Në këtë rast mund të kemi të bëjmë me myk në vesh, pra me otomukozë, ose siç tha zotëria që është diagnostikuar me ekzemë. Nuk kemi një inflamacion të veshit, pra nuk kemi otit. Ekzema në këto raste është një diagnozë që kërkon një trajtim të gjatë sepse është një sëmundje e vështirë për t’u trajtuar dhe për t’u zhdukur plotësisht. Pacienti duhet që të ketë durim sepse duhet ta vazhdojë për një kohë të gjatë mjekimin dhe ta bëjë në mënyrë korrekte. Gjthashtu duhet që të bëjë ekzaminime të herëpashershme dhe të konsultohet me mjekun otojatër. Ekzema nuk hyn te sëmundjet inflamatore, por është një sëmundje gjenetike. I këshilloj zotërisë që të shkojë sërish te mjeku otojatër për të bërë një ekzaminim të ri, që të shihet ecuria e sëmundjes dhe nëse është i nevojshëm ndërrimi i mjekimit.

Flas nga Shkodra. Kam zhurmë në vesh gjatë gjithë kohës, pra edhe ditën edhe natën. Këtë gjendje e kam prej 2-3 vitesh. Kam shkuar te mjeku dhe më ka dhënë një ilaç me pika për veshin, por nuk kam asnjë përmirësim.

Një nga simptomat e tjera të otitit media akut është edhe zhurma në vesh, e cila është e pranishme përgjatë gjithë asaj kohe që kemi inflamacion të veshit. Por kjo nuk është një zhurmë që rëndohet me kalimin e kohës. Zonja tha që kishte zhurmë në vesh prej një kohe të gjatë, rreth 2-3 vite. Kështu që ajo duhet patjetër të shkojë te mjeku otojatër për të bërë ekzaminime më të hollësishme, si audiometria që bën matjen e dëgjimit dhe timpanometria. Kjo është një lloj zhurme, e cila duke zgjatur në kohë, prek dhe dëmton nervin e dëgjimit. Prandaj duhet ekzaminimi më i hollësishëm i veshit, në mënyrë që pastaj mjeku specialist të vendosë për trajtimin që duhet të ndiqet nga pacientja. Në këtë rast nuk kemi të bëjmë me inflamacionin e veshit të mesëm sepse simptomat që shoqërojnë inflamacionin e veshit të mesëm fillojnë me këtë infeksion dhe duke përdorur mjekimin, ato fillojnë të lehtësohen gradualisht.

Flas nga Tirana. Jam rreth 58 vjeçe. Kam rreth 3 vite që vuaj nga veshi i brendshëm. Kam pasur marrje mendsh, të vjella, zhurmë në vesh. Vazhdoj të mjekohem edhe tani. Ekzaminimet i kam bërë shpesh dhe kam rënie të dëgjimit, vazhdoj të kem zhurmë në vesh, marrje mendsh dhe të vjella herë pas here. Kam pasur përmirësime më 2-3 muaj ose për 6 muaj dhe përsëri më kanë filluar shqetësimet. Sa duhet të zgjasë mjekimi?

Siç tha zonja, ajo është diagnostikuar me veshin e brendshëm, siç e njohim në gjuhën popullore. Me sa dëgjova zonja është diagnostikuar saktë dhe është mirëtrajtuar. Por ajo tha që i është konstatuar një ulje e dëgjimit. Kjo do të thotë që ajo e ka problemin, prandaj duhet që të bëjë durim. Gjithashtu duhet që të vazhdojë trajtimin mjekësor dhe duhet që të jetë në konsultë me mjekun otojatër. Në momentin kur pacienti e ndien veten të përmirësuar, mund ta ndërpresë trajtimin mjekësor. Por simptomat do të fillojnë të rishfaqen dhe përsëri pacienti do të fillojë trajtimin mjekësor. Në këto raste quhet trajtim mbajtës sepse kemi të bëjmë me një sëmundje kronike, e cila zgjat.

Çfarë dallimi ekziston midis veshit të mesëm dhe veshit të brendshëm?

Për këtë duhen bërë disa ekzaminime të hollësishme te mjeku specialist dhe në bazë të rezultateve të këtyre ekzaminimeve, është përsëri mjeku specialist ai që vendos diagnozën.

A i bezdis pacientët kjo sëmundje? Është e lodhshme?

Normalisht që i bezdis sepse kanë dhembje veshi, kanë zhurma në vesh dhe ka raste që pacientët paraqiten edhe në kushtet e urgjencës. Pastaj është mjeku specialist ai që, me anën e ekzaminimeve, saktëson diagnozën nëse është otit media viral apo otit media bakterial. Në rastin kur kemi të bëjmë me diagnozën e otitit media viral është shumë i këshillueshëm përdorimi i analgjezikëve dhe simptomat fillojnë gradualisht që të qetësohen. Ndërsa në rastin e otitit media bakterial është i nevojshëm trajtimi me antibiotikë.