Emisioni 112 me patrullat e policisë gjatë shtetrrethimit, çfarë ndodh në rrugicat e Tiranës?! (Episodi 18)

4 Prill 2020, 14:27

TIRANË - Efektivët e policisë së Shtetit, ashtu si mjekët, prej gati një muaj janë në frontin e parë ndaj COVID-19. Por si ka ndryshuar puna e këtyre djemëve dhe vajzave të veshur me uniformën blu gjatë këtyre ditëve të vështira që po kalojmë?!

Në këtë episod të 18-të të Emisionit 112 të realizuar nga gazetari i Report TV Antonio Çakshiri, jemi ne efektivët e Komisariatit Nr.3. Përgjatë një turni të plotë prej 8 orësh, ju tregojmë nga afër punën e tyre dhe vështirësitë që po kalojnë ndërsa si të gjithë ne, edhe ata janë të rrezikuar nga Koronavirusi.
Do ta nisim patrullimin në rrugët dhe rrugicat e kryeqytetit, në pasdite, pas orës 13:00 kur dhe është e ndaluar lëvizja e qytetarëve në përpjekje për ta ngadalësuar përhapjen e virusit. Jemi me punonjësin e policisë së Komisariatit Nr.3 Vladimir Haslika i cili na shpjegon detyrën e tij. Në bazë të Aktit Normativ të Qeverisë, një nga detyrat për Uniformat Blu së fundmi është këshillimi i qytetarëve që dalin nga banesat por edhe marrja e masave administrative ndaj atyre që dalin nga shtëpitë pa asnjë arsye pas orës 13:00, kur dhe kufizohet lëvizja e lirë.

Teksa patrullojmë në rrugicat e lagjeve të Tiranës rreth orës 16:20, përpara na dalin disa fëmijë që po luanin në rrugë dhe sapo shohin policinë largohen me vrap nëpër banesa ndërsa efektivët e policisë këshillojnë prindërit që ti mbajnë brenda.

Rrugët e Tiranës janë thuajse bosh gjatës pasdites, por ka edhe raste të qytetarëve që dalin për cigare në portat e banesave të tyre por që një gjë e tillë nuk mund të tolerohet nga policët në orarin e kufizimit të lëvizjes jashtë banesës. Gjatë patrullimit me efektivët pati disa raste të tilla, të cilët u këshilluan nga patrullat e policisë dhe iu kërkua që të futen në banesat e tyre.

Komisariati nr.3 si çdo komisariat ka një pjesë të patrullave në pika kontrolli dhe një pjesë tjetër në patrullim sipas sektorëve të përcaktuar, për parandalimin e ngjarjeve dhe për sigurinë publike.

Ndonëse në këto ditë njoftimet për ngjarje, konflikte, vjedhje apo për vepra të tjera penale janë ulur ndjeshëm, puna e policëve vijon. Efektivi Haslika na tregon se 1 ditë më parë kishte arrestuar një djal të ri sepse gjatë kontrollit i ishte gjetur drogë ndërsa ai kishte shkelur dhe Aktin Normativ pasi kishte dalë nga banesa në orën 17:30. Nga kontrolli djalit i ishin gjetur disa qese farmaceutike me kanabis. Momentet e ndalimit dhe prangosjes së djalit i transmetojmë ekskluzivisht në Emisionin 112 ndërsa përveç procedimit penal ai mori dhe gjobë për shkeljen e orarit të kufizimit të lëvizjes.

Gjatë patrullimit në "Don Bosko" një i moshuar del para makinës së policisë, ai u thotë efektivëve se kishte dalë nga spitali dhe kërkonte ta dërgonin në shtëpi. Për patrullat e policisë është i ndaluar transporti i qytetarëve ndërsa ata e këshillojnë të moshuarin të kthehet në spital ose të marr 127 për të lëvizur me autoambulancë.

Këto dhe shumë ndodhi të tjera që ndodhën gjatë 8 orëve që ne qëndruam me patrullat e komisariatit Nr.3 mund ti ndiqni duke parë emisionin e plotë 112 në You Tube.

    No videos found.