Me kokainë në çorape dhe armë në makinë. Policia dhe Shigjetat u vihen nga pas. (29 Tetor 2023)

29 Tetor 2023, 20:11

Në episodin e radhës të emisionit 112 sjellim të plota dy situata me të cilat janë përballur policia e rendit dhe skuadrat Shigjeta. Një person lëvizte me automjet nëpër Tiranë me armë në makinë. Pasi njoftohen, Shigjetat i vihen në ndjekje. Pavarësisht devijimeve të drejtuesit të mjetit për t’ju shmangur policisë, ai bie në pranga dhe shoqërohet në komisariat për procedura të mëtejshme. Gjatë patrullimit në vendin e quajtur rruga e “Dafinave”, ish-fusha e Aviacionit, u ndalua për verifikim dhe kontroll automjeti tip volkswagen me dy shtetas. Gjatë verifikimit me Sallën Operative dhe intervistimit të bërë, drejtuesi i mjetit shfaqte shenja nervozizmi dhe bënte lëvizje të dyshimta, në dukje jo normale. Nga kontrolli i ushtruar, fillimisht drejtuesit të automjetit në xhep iu konstatua një qese farmaceutike me lëndë të dyshuar nga forma dhe aroma si Kanabis Sativa, gjithashtu dhe pasagjerit nga kontrolli fizik iu gjet një qese tjetër me lëndë të dyshuar Kanabis Sattiva. Në këto kushte u bë shoqërimi i automjetit së bashku me dy personat për në Drejtorinë e Policisë Tiranë për veprime të mëtejshme dhe një kontroll më të detajuar te personave dhe të automjetit. Nga kontrolli i imtësishëm të drejtuesit të mjetit, u bë e mundur gjetja e 9 qeseve me pluhur të bardhë e dyshuar lëndë narkotike, lloj Kokaine. Lënda narkotike iu konstatua brenda çorapes. Në bashkëpunim dhe në mbështetje të seksionit të narkotikëve personave të dyshuar në kushtet e flagrancës, u ushtrua kontrolli i banesës, ku u gjet munincion luftarak, 40 fishekë të kalibrit 7.62mm. Të gjitha sendet e konstatuara gjatë kontrollit si jo të ligjshme, u morën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale nga OPGJ i narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë