Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 20 Nëntor 2024 – Receta tradite/ Mjalti/ Gështenjat/ Lakra 'bombë' e shëndetit

20 Nëntor, 16:24

Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Tavë me lakër arme dhe kimë / Trahanik/ Paluze me arra e pjekur në furrë.

Me nutricionistin dhe ekspertin e mjekësisë holistike Altin Joka, u ndalëm në një nga produktet me shumë vlera të mëdha shëndetësore, mjalti. Vlerat e mjaltit për shëndetin janë të provuara shkencërisht dhe jo më kot ai njihet si ‘ari i lëngshëm’. Po si duhet të përdoret mjalti pa humbur vlerat e tij ushqyese? Cilat janë disa nga gabimet që shpesh herë bëjnë konsumatorët? Ekzistojnë disa lloje mjalti, cili është më cilësori? Si mund të dallojnë konsumatorët midis mjaltit të cilësisë së lartë dhe mjaltit me cilësi të ulët apo të rreme? Pse falsifikimi është bërë një problem kaq i madh në tregun e mjaltit? Çfarë duhet të kërkojnë konsumatorët në etiketa apo bletarritës për t'u siguruar që po blejnë mjaltë të pastër dhe natyral. A ka ndonjë rrezik për shëndetin që lidhet me konsumimin e tepërt të mjaltit? Kur është momenti më i mirë gjatë ditës për të konsumuar mjaltin dhe sa është doza e rekomanduar? Diskutojmë në ‘Rreze Dielli’ me nutricionistin Joka, i cili na tregon dhe disa nga problematikat shëndetësore në të cilat mjalti bashkuar me produkte të tjera natyrale ndihmon në trajtimin e tyre.

Gështenjat janë ndër më të mirat e sezonit, të pjekura apo të ziera, aroma e tyre është e parezistueshme, posaçërisht në këto ditë vjeshte. Por përveç shijes fantastike, gështenjat janë dhe tepër të ushqyeshme, një grusht gështenjash në ditë sjell shumë vlera për shëndetin, pasi ato janë të pasura me vitamina e minerale. Gështenjat janë burim i pasur i vitaminës C, kalciumit dhe fosforit, ndaj ato janë ideale kur ndiheni të lodhur dhe të plogësht. Gështenjat kanë më pak yndyrë në krahasim me arrorët e tjerë me lëvore të fortë, gjithashtu edhe më shumë niseshte, që i bëjnë të tretshme. Për të mësuar më shumë mbi vlerat e gështenjave dhe se çfarë i ndodh organizmit tuaj nëse konsumoni gështenja flasim në studion e "Rreze Dielli" me nutricionistin Altin Joka, i cili na tregon dhe gramaturën që duhet të konsumojmë në një ditë, si dhe për cilët persona dhe problematika shëndetësore janë më të këshillueshme.

Lakra është një nga perimet e preferuara të stinës së dimrit, ajo vjen në ngjyra të ndryshme të kuqe, vjollcë, të bardhë dhe jeshile. Veçse shumë e shijshme lakra është gjithashtu mjaft e mirë edhe për shëndetin tonë, pasi përmban fibra, folate, mangan, kalcium, kalium, magnez dhe plot vitamina. Së bashku me ushqyesit e rëndësishëm që përmban, lakra ka pak kalori dhe përmban antioksidantë të fuqishëm, përfshirë polifenolet dhe komponimet e squfurit. Si e tillë lakra është një nga perimet me më shumë përfitime dhe cilat janë ato i diskutojmë në studion e “Rreze Dielli” me nutricionistin Altin Joka. Dallimet ushqyese midis lakrës së bardhë dhe të kuqe, përfitimet shëndetësore dhe vetitë medicinale. Diskutojmë për rolin e lakrës në parandalimin e sëmundjeve, tretjen dhe menaxhimin e peshës tek njerëzit, enjtjet apo dhimbjet e kyçeve. Gjithashtu ndalemi dhe në përfitimet në shëndet nga konsumimi i lakrës së fermentuar turshi.