Etlant Muçina ishte me 4 persona kur u plagos, i vëllai në ’’Pa gjurmë’’ kërkon drejtësi

20 Dhjetor 2019, 20:05

Franko Muçina vjen në ’’Pa gjurmë’’ në kërkim të një të vërtetë. Një ngjarje që e ka zanafillën në gusht të vitit 2019 kur mbeti i plagosur i vëllai i tij Etlant Muçina. 

Djali i familjes Muçina nga Trebishti i Gollobordës, Etlant Muçina, 29 vjeç, pak para mesnatës së 12 gushtit, rreth orës 23:00, në zonën e quajtur Mallakamem, u plagos rëndë me armë zjarri të llojit çifte. Sot, kur kanë kaluar 4 muaj nga kjo ngjarje Etlanti në gjendje të rëndë shëndetësore, ndodhet i shtruar në një spital të Frankfurtit në Gjermani, ndërsa ka humbur kujtesën.Tre gishtat e dorës së majtë të dëmtuar, syri i majtë gjithashtu, në trup ka ende saçmet nga plumbat e çiftes.

Që nga dita kur u plagos 29-vjeçari ka kryer 10 operacione, 5 në Shkup të Maqedonisë, 4 në Spitalin e Ushtarakut në Tiranë dhe një në shtetin Gjerman, por asnjë prej tyre nuk ka rezultuar me sukses.   

Sipas rrëfimit nga Franko Muçina për ’’Pa gjurmë’’, plagosja e të vëllait Etlantit, ka ndodhur në makinën e tij, ku ai ndodhej me 4 persona të tjerë. Ditën e ngjarjes së rëndë 29-vjeçari kishte dalë për gjueti, sëbashku me 2 kushërinjtë e parë Sabri dhe Roland Hoxha dhe dy bashkëfshatarët e tij Islam Destani dhe Afrim Shahinaj. Pas plagosjes së djalit të hallës, kushërinjtë janë larguar nga Shqipëria.

Ndërsa çiftja me të cilën është kryer plagosja ishte pa leje dhe i përkiste Islam Destanit, një prej bashkëfshatarëve, i cili ka qenë i dehur në momentin ngjarjes. 

Vëllai i Etlantit pretendon se ai nuk ka pasur asnjë konflikt me asnjërin prej personave me të cilët ka qenë atë natë. 

Menjëherë pas ngjarjes, 29-vjeçari është dërguar në spitalin e Dibrës së madhe të Maqedonisë së Veriut, nga vëllai i Islam Destanit, por spitali nuk e ka marrë përsipër dhe është dërguar në Shkup, ku ka qëndruar për 9 ditë në koma. Pas daljes nga koma Etlanti ka qëndruar edhe 2 javë në spital ku ka kryer 5 operacione, por pa sukses. Më pas Etlanti nxirret nga spitali dhe dërgohet në shtëpinë e tij, por gjendja rëndohet dhe i vëllai e dërgon përsëri në spital, këtë herë në atë të Peshkopisë, por edhe atje mjekët nuk e marrin përsipër për shkak të gjenjes së rëndë. Më pas i riu sillet në Tiranë dhe shtrohet për 2 muaj në Spitalin Ushtarak. Gjatë kësaj kohe Etlanti kryen edhe 4 operacione të tjera por sërisht pa sukses.  Më pas familja e të riut vendos që ta dërgoje në Gjermani ku ndodhet i shtruar ende edhe sot në spital. 

Për këtë ngjarje ende asnjë nuk është vënë në pranga, pavarësisht se në momentin e plagosjes së Elantit, kanë qenë dëshmitar 4 persona e tjerë.

Në studion e emisionit “Pa gjurmë”, Franko Muçina, vëllai i Etlantit kërkon zbardhjen e  kësaj ngjarje dhe vënien përpara drejtësisë së autorëve. 
Emisionin "Pa gjurmë" me moderatore Odeta Dume mund ta ndiqni çdo të hënë, të martë, të premte në orën 16:55 dhe çdo të enjte në orën 20:55 në ekranin e Report Tv