TIRANË - Ndërsa dyqanet në kryeqytet po përgatiteshin të mbylleshin për shkak të orarit të kufizuar për parandalimin e përhapjes së COVID-19 dy djem të mitur vjedhin xhiron ditore të një dyqani në zonën e Xhamllikut.
Në këtë episod të Emisionit 112 të realizuar nga gazetari i Report TV Antonio Çakshiri jemi me patrullën e Komisariatit nr. 4, me efektivët që reagojnë të parët në vendngjarje pasi marrin njoftimin rreth orës 17:20. Nga dëshmia e marrë nga shitësja në dyqan, njëri nga djemtë kishte tërhequr vëmendjen e saj në një pjesë të dyqanit ndërsa një tjetër djalë i mitur ishte futur në dyqan dhe kishte shkuar tek arka, ku kishte marre rreth 25 mijë lekë të reja.
Metoda e përdorur nga dy djemtë rreth 10 dhe 15 vjeç është filmuar nga kamerat e sigurisë së biznesit ndërsa nga punonjësit e policisë po punohet për kapjen e tyre mbi bazë të analizimit të pamjeve filmike.
Dy fëmijët ishin veshur me të zeza ndërsa nga shitësja vjedhja është zbuluar vetëm 20 minuta pas largimit të dy djemve. Patrulla e policisë me të cilën jemi ne të Emisionit 112 këshillon pronarët të bëjnë denoncim në komisariat ndërsa rikthehet në patrullim në zonën e Komisariatit nr. 4.
Teksa patrullojnë rrugët, rreth orës 19:30 nga efektivët konstatohen dy djem të mitur të veshur me të zeza pranë zonës së Xhamllikut, duke qenë se janë edhe orët e kufizimit të lëvizjes dy djemtë ndalohen për tu verifikuar nëse kanë apo jo lidhje me rastin e vjedhjes. (Shikoni emisionin e plotë për të parë se çfarë ndodh në këtë rast)
Në orët e mbrëmjes nga efektivët e policisë pikaset një makinë e parkuar me bagazhin e hapur. Nga efektivët lajmërohet salla e komandimit ndërsa ata dyshojnë se bagazhi mund të jetë hapur edhe vjedhur, ndërsa ata duhet të gjejnë pronarin e makinës . Për të parë se çfarë ndodh në këtë rast shikoni emisionin e plotë 112, episodin 20.