Fqinjët e përndjekin si vrasës të babait! I riu dhe nëna birësuese marrin mbrojtje pas denoncimit në 'Pa gjurmë'

9 Tetor 2019, 19:31

TIRANË-Në emisionin e "Pagjurmë" sot është trajtuar historia e Kreshnik Bazes, 31-vjeç, me të cilin jeta nuk ka qenë shumë bujare.

Ai u braktis në shkallët e maternitetit 31 vite më parë, e ndërsa sot është në kërkim të prindërve biologjik. Megjithatë, edhe jeta në fshatin Kakruk të Kavajës me prindërit birësues, për të nuk ka qenë e lehtë. Ai është prej disa kohësh në konflikt të vazhdueshëm me fqinjët për një rrugë, madje këta të fundit e kanë kërcënuar me jetë dhe i kanë kanosur shtëpinë. Sikur kjo të mos mjaftonte, fqinjët e akuzojnë si autor të vrasjes së babait birësues, gjë të cilën Kreshniku e mohon kategorikisht në studion e emisionit "Pa gjurmë" në Report Tv. Ai tregon se babai i tij është vetëvarur.

 

"Nuk e kam vrarë unë babanë. Me të vërtetë mund të grindesha me të, po e them për herë të parë publikisht, për çështje të shkollës, por nuk e kam vrarë unë. Në fillim me xhaxhanë që ishte në Amerikë kishim një marrëdhënie shumë të mirë, por pas vdekjes së babait, ai u largua dhe kjo më bën të dyshoj", tha Baze në emisionin "Pa gjurmë" në Report Tv.

Për shkak të këtyre kërcënimeve, Kreshniku me nënën e tij është detyruar që të largohen nga shtëpia e tij dhe falë denoncimit në Report Tv, ato kanë marrë urdhër mbrojtje nga Agjensia "Stop Krimit""Gjithë këtë që unë ngrita sot, e bëj për nënën time se 62 vjeçe të lërë banesën dhe ka frikë të kthehet në shtëpi", tha ai.

Ndërkohë i  është drejtuar emisionit "Pa Gjurmë" në Report TV ku pret që pas bërjes së historisë së tij publike, të bie në gjurmën e prindërve biologjik. Baze ka dhënë disa detaje që sipas tij mund të vijnë në ndihmë për të gjetur prindërit e tij, nëse janë gjallë. Kreshniku është ndalur tek një episod i ndodhur në vitin 2007, kur ai ishte kamarier në një restorant në Kavajë, ku një i moshuar për të cilin ai dyshon se është gjyshi i tij e ka përqafuar, i ka lënë bakshish dhe i ka thënë "Gëzohem që je mirë. Mos më merr për Kavajës se nuk jam, por jetojmë në hyrje të Kavajës"...fjalë këto që Kreshniku i ka marrë si mesazh.

Ai dyshon se origjina e tij nuk është nga Skrapari, por nga veriu i Shqipërisë ose Kosova, dyshime këto të ardhura për shkak të disa episodeve të shkurtra nga e kaluara dhe kërkimeve të tij personale. "Babi im birësues ka punuar në ato vite në Luz të Kavajës dhe më ka thënë para se të ndërronte jetë më tha "kur kam punuar çoban më ka thënë që gjyshi yt ka një karburant në hyrje të autostradës së Kavajës". Unë jam i bindur që ai ishte gjyshi. Se nuk interesohet familja e babit, por e nënës. Sot ai duhet të jetë diku te 80-ta", tha Kreshniku në studion e Report Tv.

Sakaq, gjatë transmetimit të emisionit, ka mbërritur një telefonatë nga një zonjë në Kavajë, e cila deklaron se ka informacion mbi prindërit e Kreshnikut"Unë jam bij në Kavajë. Gjon Preni është nga veriu ka punuar në pulari dhe Elsa është e shoqja, ka tre fëmijë. Elsa dy djem punojnë në Gjermani, dhe një vajzë, Marjana Luka jeton në Greqi. Kjo e fundit është mamaja e Kreshnikut", u shpreh ajo. Por kjo telefonatë nuk e entuziasmoi Kreshnikut pasi tha se ishte i bindur që nuk ishte Marjana nëna e tij, sepse i kishte bërë më herët verifikimet. Madje rrëfeu se Marjana kishte ardhur në Shqipëri, për të bërë analizat e ADN-së, por ishte tërhequr papritur, çka ka ngritur dyshimet tek Kreshniku.

Historia
U braktis që kur u lind, ndërsa u la në shkallët e maternitetit në Kavajë. Kjo është drama e të riut që vjen e rrëfyer në emisonin ’’Pa gjurmë’’ në Report Tv. Kreshnik Baze është 31-vjecari nga Skrapari, i cili datë të lindjes mban datën kur u gjet i braktisur më 26 mars të vitit 1988.4 muaj me radhë u mbajt në maternitetin e Kavajës dhe me pas u transferua në shtëpinë e fëmijës në Durrës.Kur ishte 1 vjec e gjysëm, më 26 dhjetor të vitit 1989, ai u birësua nga cifti Bashkim dhe Zymbyle Baze nga Skrapari.

Nuk dihet me saktësi nëse Kreshniku u lind në maternitetin e Kavajës, apo u lind diku tjetër, por të dhënat tregojnë se dy fëmijët e tjerë të lindur në të njëjtën ditë, kur u gjet i braktisur Kreshniku kanë të tjera identitete. Strehë e ngrohtë për Kreshniku u bënë prindërit birësues Bashkimi dhe Zymbylja me të cilët jeton në fshatin Kakruk të Skraparit. Ai kurrë nuk do ta kishte ditur se ishte një djalë i birësuar deri në momentin kur u përball me të vërtetën. Ishte adoleshent kur mësuesi kujdestar, në shkollën e muzikës në Fier ku mësonte Kreshniku ishte personi që vendosi të zbulojë të fshehtën e familjes Baze.

Atë që prindërit nuk kishin guxuar ta bënin më parë, adoleshenti nuk e priti mirë, madje përfundoi në spital. Edhe pse e kishte të vështirë të pranonte se ishte një djalë i birësuar, ai e mori veten shpejt, falë mbështetjes së madhe që i ofruan prindërit birësues. Madje ende pa mbushur 18 vjec, duke marrë edhe aprovimin e tyre ai nisi të kërkojë origjinën biologjike.

Prindërit birësues i ofruan një dashuri të munguar, por nuk mundën dot t’i ofronin një jetë të qetë në fshatin Kakruk ku dhe jetonin. Konfliktet e vazhdueshme me fqinjët për një rrugë, e ka thyer oazin e një jete të paqtë, që cifti kishte projektuar të bënte, që kur vëndosën të birësonin, Kreshnikun. Sikur mos të mjaftonte e gjitha kjo, ky 31-vjecar  vuan sot të tjera drama në familjen ku u rrit, nga presioni i kërcënimeve të fqinjëve, kërcënime të cilat sollën dhe një tjetër ngjatje të rëndë në familjen Baze.

Kryefamiljari Bashkim Baze, vendosi që një vit e gjysëm më parë (më 30 maj të vitit 2018) t’i jap fund jetës duke u vetvarur. Në një rrëfim të jetës së tij, në një kohë kur kërcënohet me jetë nga fqinji për shkak të konflikteve mes familjeve, Kreshniku e ka të vështirë të kërkojë përgjigjen e këtij fati që e përndoqi për vite me radhë. Kreshniku sot 31-vjec është në kërkim të prindërve biologjik…

Pas vdekjes së babait, Kreshniku dhe nëna e tij ndjehen ende të kërcënuar. Pak ditë më parë konflikti me fqinjin I cili tentoi të hyjë me dhunë në banesë, duke kërcënuar zonjën e shtëpisë, Zymbyle ka ngjallur sërish frikë tek dy anëtarët e familjes Baze. Ky konflikt ka lindur për shkak të një rrugë, që fqinji i tyre kërkon ta zgjerojë pa miratimin e familjes Baza, pasi ata rrezikojnë t’u shembet një pjesë e banesës.Për këtë arsye ata kanë bër denoncimin edhe në polici, ndërsa kjo familje rrezikon të ketë fat të njëjtë me atë të shumë prej familjeve shqiptare të cilët e kanë paguar me jetë konfliktin për pronat.

*Cilido që mund të ketë informacion në lidhje prindërit biologjik të Kreshnik Bazes, mund të telefonojë në numrin e redaksisë së "Pa Gjurmë" 069 99 55 698. Stafi investigativ i emisionit do të marrë në shqyrtim të gjitha të dhënat