Këndi i Ekspertit/ Emigrantët, kushtet që duhen plotësuar për të marrë pension

26 Prill 2019, 08:31

Në emisionin “Këndi i Ekspertit” në Report TV, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në rubrikën “Pensioni im”, si çdo javë ishte i ftuar eksperti i mirënjohur i problematikave të pensioneve Prof. Dr. Fadil Kepi. Eksperti ynë ka folur këtë javë për pensionet e emigrantëve. Profesor Kepi ka sqaruar se cilat janë kushtet që duhen plotësuar nga emigrantët që punojnë dhe jetojnë jashtë Shqipërisë, për të përfituar pension në vendin tonë dhe cilat janë procedurat që duhen ndjekur. Ai ka sqaruar edhe se si tërhiqet pensioni nga emigrantët dhe se a përfitojnë emigrantët nga indeksimi i fundit me 2,8% i përllogaritjes së pensionit. Më pas eksperti ynë u është përgjigjur pyetje live nga qytetarët në Report TV për problematika të ndryshme që ata kanë rreth çështjeve të pensioneve.

Do të flasim sot për pensionet e emigrantëve. Cilat janë kushtet që duhen plotësuar nga emigrantët që punojnë dhe jetojnë jashtë Shqipërisë, për të përfituar pension në vendin tonë. Cilat janë procedurat që duhen ndjekur? Si tërhiqet pensioni nga emigrantët? A përfitojnë emigrantët nga indeksimi i fundit me 2,8% i përllogaritjes së pensionit? Duhen dokumente shtesë?

Në vendin tonë, sipas të dhënave të përafërta, ka rreth 1.800.000 emigrantë. Pjesa më e madhe e tyre kanë emigruar në votet 1990-1991 dhe ata që kanë qenë në moshën 30-35 vjeç në atë periudhë, këtë vit i afrohen moshës së pensionit, burrat 65 vjeç dhe gratë 60 vjeçe e 10 muaj. Kushti për të marrë pension në vendin tonë është që duhet të kenë të paktën 15 vite pune të siguruara. Në këtë rast pensioni është i pjesshëm, jo i plotë. Ndërsa për të përfituar pensionin e plotë duhet të kenë ai burrat ashtu edhe gratë 36 vite e 8 muaj punë të siguruar, por edhe më shumë. Këtë vit, nga të dhënat që ka Instituti i Sigurimeve Shoqërore, parashikohet që të dalin në pension 27.000 persona, pra rreth 75 persona në ditë. Padyshim, që një pjesë e këtyre personave janë emigrantë.