Këndi i Ekspertit/ Fadil Kepi: Si përfitohen pensionet private, dokumentesh që duhen

3 Maj 2019, 09:04

Në emisionin “Këndi i Ekspertit” në Report TV, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në rubrikën “Pensioni im”, si çdo javë ishte i ftuar eksperti i mirënjohur i problematikave të pensioneve Prof. Dr. Fadil Kepi. Eksperti ynë ka folur këtë javë fillimisht për pensionet private. Profesor Kepi ka folur për institutet private të sigurimeve duke sqaruar se çfarë janë ato. Eksperti i problematikave të pensioneve sqaron kushtet që duhen plotësuar për t’u siguruar në institutet private si dhe si përfitohen pensionet private dhe çfarë dokumentesh duhen. Më pas eksperti ynë u është përgjigjur pyetje live nga qytetarët në Report TV për problematika të ndryshme që ata kanë rreth çështjeve të pensioneve.

Sot do të flasim për institutet private të sigurimeve. Çfarë janë ato? Cilat janë kushtet që duhen plotësuar për t’u siguruar në këto institute. Si përfitohen pensionet dhe çfarë dokumentesh duhen?

Në vendin tonë, përveç Institutit shtetëror të Sigurimeve Shoqërore, i cili administron rreth 650.000 pensionistë gjithsej, ose në vitin e kaluar, më 2018, kanë dalë 37.000 persona në pension dhe këtë vit, më 2019, parashikohet që të dalin në pension 27.000 persona. Ky institut administron, përveç kontributeve që grumbullon për pagesën e pensioneve, në pamundësi që t’i përballojë të gjitha pagesat e pensioneve me kontributet, rreth 30% e financon buxheti i shtetit. Ndërsa instituteve shtetërore private për sigurimet e pensioneve, buxheti i shtetit nuk u financon asnjë lek, por ato grumbullojnë kontributet nga ata persona që duan të marrin dy pensione, një në shtet dhe një në institut privat, dhe nëpërmjet kontributeve kanë efektet e veta financiare. Këto institute janë krijuar me Ligjin nr. 7943, nga Kuvendi i Shqipërisë.