Këndi i Ekspertit/ Mishi i huaj i mitrës, nga se shkaktohet dhe si kurohet

21 Prill 2019, 17:04

Në emisionin “Këndi i Ekspertit” në Report TV, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në rubrikën “Mjeku im” këtë të javë ka qenë e ftuar Ledia Toro, mjeke gjinekologe pranë Spitalit SALUS. Mjekja ka folur për problemet gjinekologjike, kryesisht për fibromioma uterinen, ose siç njihet ndryshe, mishi i huaj në mitër, sëmundja më e shpeshtë te gratë e moshave riprodhuese. Ekspertja jonë ka sqaruar se çfarë është kjo sëmundje dhe nga se shkaktohet. Mjekja Ledia Toro më pas ka folur edhe për dignoztikimin, kurimin dhe pasojat e kësaj sëmundje.

Sot do të flasim për problemet gjinekologjike, kryesisht për fibromioma uterinen, ose siç njihet ndryshe, mishi i huaj.

Çfarë është kjo sëmundje dhe nga se shkaktohet? Si kurohet?

Kjo është patologjia beninje më e shpeshtë te gratë e moshave riprodhuese. Është një ndër patologjitë, për të cilat ato paraqiten më shpesh në departamentin e gjinekologjisë. Është një sëmundje që ka një natyrë krejtësisht beninje, që karakterizohet nga një rritje e shtresës muskulore të mureve uterine, një rritje deri diku e pakontrolluar, në formën e disa noduseve ose në formën e disa gungave, të cilat e marrin origjinën pikërisht nga muskulatura e lëmuar e paretit uterin. Këto mund të arrjnë përmasa të ndryshme, nga përmasa shumë të vogla mikrofolikulare deri edhe në përmasa shumë të mëdha. Janë masa shumë të forta, të rregullta, të rrumbullakëta. Këto njihen ndryshe edhe si mishi i huaj i mitrës.

Pra, siç e thashë, kjo është një patologji që prek kryesisht gratë e moshave riprodhuese dhe përgjithësisht, në shumicën e rasteve, prek gratë rreth moshës 35-45 vjeç sepse për nga vetë natyra e tyre, ato janë masa që ndikohen shumë nga hormonet. Pra, në periudhën e ndryshimeve të mëdha hormonale, me rritjen e estrogjenit dhe të progesteronit, ato i përgjigjen shumë mirë kësaj lloj rritjeje, për shkak të receptorëve të shprehur që ato kanë në sipërfaqe ndaj këtyre hormoneve.