Këndi i Ekspertit/ Variçet, si ekzaminohen dhe si trajtohen

7 Prill 2019, 12:17

Në emisionin “Këndi i Ekspertit” në Report TV, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në rubrikën “Mjeku im” këtë të javë ka qenë e ftuar Mjekja Ermira Zykaj, specialiste ekografie pranë Spitalit SALUS. Mjekja ka sqaruar sëmundjen e venave varikoze, ose variçet, siç i njohim në gjuhën popullore, komplikacionet që sjellin dhe mënyrat e ndërhyrjeve mjekësore. Ekspertja jonë ka sqaruar se si ekzaminohen variçet dhe si trajtohen ato, po edhe se cilët janë faktorët e riskut dhe çfarë rëndësie ka trajtimi i tyre në kohë. Në fund doktoresha Ermira Zykaj u është përgjigjur pyetje live në Report TV.

Sot do të flasim për venat varikoze ose variçet, siç i njohim në gjuhën popullore. Variçet nuk janë thjesht një problem estetik. Ato ndodhin te femrat dhe te meshkujt. Si ekzaminohen dhe si trajtohen ato? Cilët janë faktorët e riskut? Çfarë rëndësie ka trajtimi i tyre në kohë? Cila është grupmosha më e prekur nga kjo sëmundje?
Venat varikoze ose siç njihen në gjuhën popullore, variçet, është një zgjerim i venave sipërfaqësore të këmbës. Në disa raste mund të jenë sekondare, nga një zgjerim i venave të brendshme, por rrallëherë ndodh kjo. Ka disa momente kur këto vena zgjerohen. Me kalimin e moshës ato zgjerohen më shumë, pas shtatëzanive, nga një jetë sedentare, ose në persona të cilët kanë një predispozicion familjar. Ndodhin dhe në personat të cilët kanë një profesion të caktuar. Ne e quajmë ndryshe edhe sëmundja e kamerierëve, e kuzhinierëve, e parukierëve, e mësuesve, sepse kalojnë shumë orë në këmbë, pa lëvizur. Kështu që është e rëndësishme të njohim këto problematika sepse japin komplikacione me kalimin e kohës.