Macja bie nga ballkoni i katit 7 e ngec në të 5-tin, zonja telefonon policinë: Po më qan, ju lutem të ma marrin zjarrfikësit (Emisioni 112 - Episodi 33)

18 Korrik 2020, 15:50 | Përditesimi i fundit: 2020-07-18 16:15:39

Ky episod i Emisionit 112 transmeton disa ngjarje ku është kërkuar ndërhyrja e zjarrfikësve dhe policisë. Në dy rastet e para si pasojë e rrjedhjes së gazit, bombolat kanë marrë flakë duke shkaktuar edhe të plagosur. Ju sjellim momentet ekskluzive të ndërhyrjes së ekipeve të emergjencës. Në një tjetër rast një zonjë kërkon ndihmën e zjarrfikësve për të shpëtuar macen e saj që ka ngecur në ballkonin e komshiut në katin poshtë pasi ra nga kati i 7-të i pallatit. 


TIRANË - Efektivët e policisë mund të jenë përballur me një shumëllojshmëri thirrjesh për ndihmë por ndodhia që transmetojmë në episodin e sotëm mund të jetë ndër më të rrallat. 
Një zonjë telefonon policinë  sepse macja e saj i ka rënë nga ballkoni i katit të 7-të tek ballkoni i fqinjit poshtë, në katin e 5-të. Në emisionin 112 të realizuar nga gazetari i Report TV Antonio Çakshiri ju sjellim pamjet ekskluzive të reagimit të policisë në këtë rast si dhe audion e telefonatës në sallën operative. Kjo ndodhi ka ndodhur para pak ditësh në një pallat pranë Rrugës së Elbasanit ndërsa kjo zonjë i lutet policisë që ta ndihmojnë të marri macen nga ballkoni pasi fqinji i saj është jashtë shtetit. Macja u arrit të merrej dhe iu rikthyer zonjës nga ekipi zjarrfikës, të cilët u lëshuan me litar nga ballkoni i katit sipër. (Shikoni videon nga minuta 10:40 për këtë rast)

Shpërthimi i gazit dhe bombola që marrin flakë janë sërish që qendër të vëmendjes në fillim të këtij episodi të 33-të të Emisionit 112. Transmetojmë pamjet ekskluzive nga dy ngjarje të ndryshme ku si pasojë e rrjedhjes së gazit nga bombolat ka pasur edhe persona të plagosur. Ngjarja e parë është në zonën e Freskut ku një bombol gazi ka marr flakë në apartamentin e një zonje. Nga frika ajo e ka hedhur bombolën nga ballkoni i saj ku fatmirësisht një i ri që po kalonte poshtë ka shpëtuar për mrekulli, pasi bombola ende në flakë i ra shumë pranë. Ju sjellim momentet ekskluzive teksa bombola ka mbetur e varur në ballkon ndërsa bie pas disa momentesh kur edhe forcat zjarrfikëse vijnë për të shuar flakën. Policia merr dëshminë e zonjës për ngjarjen. 


Rasti tjetër që është më dramatik ka ndodhur në një familje pranë Don Boskos. Gazi ka shpërthyer duke djegur nënën e bir dhe ka shkaktuar dëme të shumta në banesë. Ju sjellim momentet ekskluzive të ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse dhe policisë në këtë ngjarje.