'Më sillni 50 mijë $ ose do më vrasin!/ Historia e të riut që u zhduk kur zbuloi dosjen tronditëse të vrasjes së babait para syve të tij

1 Nëntor 2019, 08:15 | Përditesimi i fundit: 2019-11-03 07:29:59

PA GJURMË- Në puntatën e sotme të emisionit 'Pa Gjurmë" në Report TV është trajtuar historia e Roland Zekës, 28-vjeçari nga Kosova i cili është i zhdukur  prej gushtit të vitit 2018. Historia e tij nisë të marrë jetë para 19-vitesh, atëherë kur në sytë e tij dy persona me maska i vranë dhe i masakruan babanë. Të pranishëm në këtë ngjarje makabër, sot ende pa një autor ishin edhe dy vëllezërit e vegjël, aso kohe vetëm 2 dhe 8 vjeç. Pas kësaj ngjarje, jeta e familjes Zeka merr një kthesë 360 gradë, mes akuzave të nuses së viktimës dhe kunetërve të saj dhe traumave të fëmijëve. Vëllezërit e viktimës akuzonin nënën e Roland Zekës si autore të vrasjes, me qëllim të marrjes së pasurisë. Xhaxhallarët pas vdekjes së babait i përzunë nga shtëpia, duke detyruar nënën e tre fëmijëve të vegjël, Zizilaje Zeka të kërkonte azil në Gjermani. Në studion e Report Tv, nëna e Rolandit ka treguar të gjithë historinë, se si pas detajeve që zbuloi nga dosja e vrasjes së babait, djali kaloi në depresion dhe zgjodhi të largohej nga shtëpia. Dyshimet janë se duke shfrytëzuar gjendjen e rënduar psikologjike është rekrutuar nga luftëtarët e ISIS.

"Ndodhi një vrasje para syve të fëmijëve, kohët e fundit zbuloi një dokument nga dosja e vrasjes së babait të tij. Ai ka qenë i shqetësuar dhe ra në depresion dhe iku në Turqi, por ne nuk e dinim. Nuk e dinim se çfarë kishte mësuar nga ky dokument. Ka marrë disa informata për vrasjen e babait. Babanë e vranë para syve të tre fëmijëve, duan ta zbulojnë se kush ua vrau babanë. Ia kemi lënë shtetit, por deri tani nuk ka asgjë. Hynë me maska, dy persona dhe djali i vogël ishte 2 vjeç, 8 dhe 9 vjeç dhe para syve tanë e vranë shumë shpejt dhe ikën. Unë e kisha për detyrë si nëna që t'ua rregullojë jetën dhe mendova se e rregullova, por kur u rrit donte që ta zbulonte. Por gjatë kërkimeve për babanë ra në depresion. Shkonte shumë shpejsh në Kosovë. Nuk e dija se përse vinte në Kosovë, por mesa duke ai donte që të zbulonte të vërtetën, kush ia vrau babanë. Fëmijët janë me traumat. Nuk e pata kurrë mbështetjen nga fisi i bashkëshortit. Ishim në azil, e fituam dokumentet, kot që i kemi se djali iku, nuk di ku e kam. Rolandi punonte dhe nisi të kryente shkollën e Akademisë, i bëri dy vite dhe e la se u fiksua që të mësonte të vërtetën për vrasjen e babait. Nuk kishim marrëdhënie me vëllezërit e bashkëshortit, nuk na lejuan që të jetonim më aty. Kjo ishte dhe arsyeja se përse u larguam. Fëmijët i kanë mësuar shumë vonë se kush janë xhaxhallarët. Kur Rolandi vinte në Kosovë, rrinte te prindërit dhe vëllezërit e mi. Kur nuk u ka treguar daja, se për ta kishte shumë respekt. Nëpërmjet një avokati ka arritur që të shikojë dosjen. Dëshmitë e xhaxhallarëve e kanë prekur shumë. Djali më pyeste se si u vra babai. Për shkak të situatës se kishin trauma se e panë masakrën, unë asnjëherë nuk i dhashë përgjigje, dhe këtë përgjigje shkoi ta merrte në Kosovë", tregon nëna e Roland Zekës në studion e Report Tv.