TIRANË - Në episodin e sotëm të emisionit 112 ju sjellim dy raste të ndërhyrjes së policisë pas telefonatave për ndihmë. Janë dy raste që tregojnë realitetin në vendin tonë, shpesh herë edhe të dhimbshëm.
Një nënë telefonon policinë sepse djali i saj i mitur i ka vjedhur lekët. Policia reagon në këtë rast ndërsa nga pamjet e kapura nga kamera e trupit duken efektivët që mbeten pa fjalë teksa kjo nënë tregon atë që po kalon. I biri 16-vjeçar jo vetëm që i ka vjedhur lekët por ai edhe i dhunon, aq sa dy prindërit kanë fshehur edhe thikat në shtëpi nga frika se mos goditen nga djali. Duke parë vështirësitë që po kalon familja efektivët mundohen të flasin me djalin për ta bindur të tregojë se ku i ka çuar paratë e marra.
Në rastin e dytë, dy fqinjë në kryeqytet janë në një konflikt të ashpër me njëri-tjetrin, shkak kamerat e vendosura në banesën e njërit. Konflikti mes dy komshinjve ka arritur në pikën që është e nevojshme ndërhyrja e policisë, madje jo e një por dy patrullave, pasi në momentet kur në vendngjarje shkojnë efektivët e parë fqinji sulet t'i godasë me shkop ata dhe komshiun që ka vënë kamerat. Në emisionin 112 të realizuar nga gazetari i Report TV Antonio Çakshiri ju sjellim momentet dramatike nga ndërhyrja e policisë në këtë situatë.
Protesta e së mërkurës në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" është një tjetër situatë që trajtojmë në episodin e kësaj të shtune. Efektivët e policisë morën urdhër që ky grupim qytetarësh që po protestonin duhej të shpërndahej për shkak të gjendjes që vendi po kalon me virusin COVID-19. Në emision transmetojmë pamjet e shoqërimeve në komisariat të disa prej protestuesve ndërsa ata procedohen për "mosbindje ndaj urdhrit të policisë" dhe "pengim të qarkullimit rrugor".
Në orët e mbrëmjes ndërhyrja e policisë kërkohet pranë Bllokut të Ambasadave. Një djalë telefonoi 112 sepse një person është futur në një ndërtesë të braktisur pas murit të një prej ambasadave dhe po konsumon aty lëndë narkotike ndërsa ka ndezur edhe një zjarr duke rrezikuar t"i vërë flakën ndërtesës së rrënuar, sipas telefonuesit. Ju sjellim pamjet ekskluzive nga reagimi i policisë ndërsa efektivët kapin dhe prangosin një djalë të ri që fshihej brenda. Atij i gjendet një sasi e vogël droge dhe një pistoletë lodër dhe shoqërohet në komisariat.