TIRANË - Në episodin e sotëm të Emisionit 112 transmetojmë pamjet ekskluzive nga ndalimi i dy fëmijëve 13-vjeçar nga efektivët e policisë. Policia u njoftua nga qytetarët se dy të miturit ishin duke ngacmuar kalimtarët me një shkop të ngjashëm si shkop bejsbolli ndërsa po trembnin edhe fëmijët e vegjël në një lagje të Kombinatit sipas telefonuesit.
Në emisionin e realizuar nga gazetari i Report TV Antonio Çakshiri transmetojmë ngjarjen e plotë, nga telefonata dhe pamjet e plota nga kamera e trupit të efektivëve nga momenti i ndalimit të dy 13-vjeçarëve, komunikimin me policëve me ta deri në ballafaqimin e fëmijëve me prindin, nëna e një prej të cilëve mendonte se djali ndodhej në banesë. Gjatë shoqërimit nga policia për në banesë një nga djemtë e mitur preket dhe qan në makinën e policisë ndërsa thotë se do i "bërtasin të shtëpisë". Shikoni përgjatë emisionit momentet e plota nga kjo ndodhi nga përditshmëria e punës së policisë.
Në orët e mbrëmjes një burrë kërkon ndihmën e policisë pasi bashkëshortja nuk e lejon të futet në banesë prej disa ditësh ndërsa mban derën e kyçur. Edhe për këtë ndodhi ju sjellim pamjet e plotë të reagimit të patrullës së policisë ndërsa efektivët përpiqen të bindin zonjën të hapi derën pasi burri i saj prej disa ditësh ka qëndruar në hotel.