Prangosen oficerët e policisë në Tiranë, të dehur në makinë dhe sharje banale ndaj efektivëve që i kapën (Emisioni 112 - Episodi 35)

1 Gusht 2020, 16:07 | Përditesimi i fundit: 2020-08-02 17:15:38

Ky episod i fundit i sezonit për Emisionin 112 sjell 3 ngjarje të filmuara nga kamerat e trupit të policisë. Nga prangosja e dy personave që prezantohen si oficerë policie, pasi u denoncuan në Komisariatin Dixhital për drejtim mjeti në gjendje të dehur ndërsa tentojnë edhe të largohen me makinë pasi u ndaluan nga efektivët rrugorë, tek ndërhyrja për qetësimin e një situate mes një familjeje dhe përmbaruesve që kërkojnë nxjerrjen e tyre nga apartamenti.

TIRANË - Ky episod i emisionit 112 transmeton pamjet e filmuara nga kamerat e trupit të policisë të momenteve të prangosjes së dy personave që prezantohen si oficerë policie.

Ngjarja ka ndodhur para pak kohësh në kryeqytet teksa mjeti ku udhëtonin dy personat ishte denoncuar në Komisariatin Dixhital. Raportimi thoshte se shoferi ishte i dehur dhe se po kryente manovra të rrezikshme.


Makina u ndalua nga efektivët e Policisë Rrugore në Rrugën e Kavajës. Dy personat thonë se janë oficerë policie ndërsa shoferi nguron të japë dokumentacionin.  Në momentet kur një efektiv i Policisë Rrugore vjen me pajisjen "Drager" për të bërë testin e alkoolit, shoferi ndez makinën dhe përpiqet të largohet ndërsa një lumë sharjesh banale lëshohen drejt punonjësit të Policisë Rrugore.
Dy personat e prezantuar si oficerë policie prangosen dhe dërgohen në Komisariat.

Kjo ngjarje ka ndodhur pak kohë më parë dhe mësohet se ata nuk bëjnë më pjesë në strukturat e Policisë së Shtetit.

Në ngjarjen e dytë, nga përmbaruesit është kërkuar ndihma e policisë për zbatimin e një vendimi gjyqësor. Përmbaruesit duhej të largonin një familje nga një apartament por kishin hasur në rezistencë teksa dy prej familjarëve ishin vetë izoluar brenda banesës. Ata kanë lyer derën me benzinë nga brenda. Shikoni përgjatë emisionit 112, të realizuar nga gazetari i Report TV Antonio Çakshiri, momentet dramatike teksa zjarrfikësit përpiqen të hapin derën dhe ndodh një shpërthim flake për shkak të benzinës me të cilën ishte lyer.

Në ngjarjen e fundit të këtij episodi të 35-të, policia dërgohet të bëj një shoqërim rutinë në Komisariat, të një personi që dyshohej se kishte gërvishtur qëllimisht disa makina. Teksa situata precipiton, efektivët përballen me vajzën dhe gruan që s'lejojnë policët që ta marrin dhe konfrontohen me ta.

 

    No videos found.