Qofte frikase nga zonja Albana, një recetë që përgatitet lehtë dhe ka shumë shije

6 Shtator, 12:02

Qofte frikase

Përbërësit:

  • 500 gr mish i grirë
  • 150 gr tul buke
  • 1-2 qepë
  • 2-3 lugë majdanoz
  • 2 të verdha veze
  • Djathë të grirë
  • Kripë, piper, dhjozmë
  • Vaj /Gjalpë për skuqje

Për salcën:

  • 400 gr qepë
  • 1 fk uthull të bardhë
  • 2 të verdha veze
  • 1-2 lugë gjalpë
  • Qumësht

Përgatitja:

Bashkojmë përbërësit e qofteve në një tas dhe formojmë brumin, e lëmë pak të pushojë dhe më pas realizojmë qofte të vogla sa një kokërr gështenje dhe i skuqim lehtë duke u kujdesur të mos thahen tepër. Ndërkohë grijmë shumë hollë qepët (rreth 400 gr), i vëmë të marrin një valë me ujë, i kullojmë dhe i vendosim të ziejnë përsëri me ujë tjetër (aq ujë sa të lundrojnë qepët në të) në të cilin hedhim uthullën, pak kripë e një lugë gjelle gjalpë. E mbulojmë tenxheren dhe i lëmë të ziejnë qepët derisa të treten pothuajse fare dhe të mbetet aq lëng sa të mjaftojë për t'u bërë me të një salcë e ujshme. Përziejmë dy të verdhat e vezëve me qumështin, me gjysmë lugë miell, rregullojmë pak temperaturën me lëngun e salcës dhe e përziejmë mirë duke e shtuar më pas sipër qofteve, duke e tundur e shkundur pak tenxheren në zjarr. E lëmë gatimin të marrë 2-3 valë, e largojmë nga zjarri dhe e servirim në një pjatancë të thellë.