Supë dimri me oriz, presh dhe patate
Përbërësit:
1 filxhan çaji oriz (120 gr)
Vaj ulliri
2 presh (vetëm pjesa e bardhë)
3 patate
1.5 l lëng mishi
4 lugë gjelle parmixhan i grirë
Kripë dhe piper i zi
Përgatitja:
Vendosim tenxheren me lëng mishi që të valojë. Ngrohim në tenxhere 3 lugë gjelle vaj ulliri dhe shtojmë në të pjesën e bardhë të preshit të prerë në unaza shumë të holla. I kaurdisim derisa preshi të ulë volumin.
Shtojmë patatet e prera në kubikë të vegjël me brinjë 1 cm dhe i përziejmë së bashku me preshin.
Shtojmë lëngun e mishit dhe i lëmë patatet të ziejnë për 5 minuta. (Nëse patatet i prisni më të mëdha, i lëmë 10 minuta.)
Shtojmë orizin e shpëlarë, i përziejmë së bashku dhe i lëmë të ziejnë dhe dhe për 12-15 minuta të tjera. Në fund shohim që është bërë një supë e trashë dhe kremoze. Shtojmë një lugë gjelle vaj, parmixhan të grirë hollë, piper të zi nga mulliri, e lëmë parmixhanin të shkrijë për 2-3 minuta dhe e shërbejmë supën të ngrohtë.