Udhëtimi i mistershëm i matjanit në Angli dhe nëna nga Gjirokastra në kërkim të djalit

13 Shtator 2019, 21:33 | Përditesimi i fundit: 2019-09-16 15:51:54

Pa Gjurme dt 13 09 2019 

Historia e Parë
TIRANE - 30-vjecari Maradona Ibrahimi nga Gjirokastra rezulton i humbur prej datës 1 gusht të këtij viti.  Ka folur për herë të fundit me nënën e tij duke i thënë se do të shkonte të pinte një kafe tek "Ura e Lumit" në Gjirokastër dhe se do të kthehej në banesë. Por kjo nuk ndodhi. Pak orë nga zhdukja, nëna e tij, Marie dëgjoi zërin e të birit përmes një telefonate. Dyshimet janë që djali të jetë në Sarandë. Një sinjal të tillë e dha edhe një telefonatë e mbërritur në emisionin "Pa Gjurmë" gjatë transmetimit LIVE në Report Tv, duke thënë se 30-vjeçari para 3-4 ditësh mund të jetë parë tek furgonat e Sarandës. Por një tjetër telefonatë, tha se Maradona Ibrahimi mund të jetë parë edhe në një fshat të Shkodrës. Redaksia e emisionit 'Pa Gjurmë' duke lidhur kontaktet me policitë në këto vende, do të kërkojë bashkëpunimin e tyre për të bërë verifikimin e këtyre informacioneve. 

Historia e Dytë
Besim Skila nga fshati Gjoçaj i rrethit të Matit, sot 50 vjeç, ka humbur kontaktet me familjen e tij prej vitit 2000. Këtë mbrëmje në emisionin "Pa Gjurmë", motra e tij Nadire Çerpja, rrëfeu rrugëtimin e vëllait të saj drejt Anglisë më 5 shtator në vitin 1995, dhe humbjen e mistershme të kontakteve të Besimit me familjarët në vitin 2000.

Besimi u largua nga Shqipëria drejt Anglisë së bashku me një nga kushërinjtë e tij. Në kontaktet e para me familjarët u tha se jetonte në Londër dhe se kishte filluar punë në një biletari. Atje ai jetoi me kushërinjtë, dhe së fundi me djalin e hallës. La shtëpinë e tij duke lënë vetëm një shënim: Jam nisur për në punë!