Vajza përplaset nga makina / Shqiponjat kapin 5 të rinj me hashash (Emisioni 112, episodi 22)

2 Maj 2020, 15:42

TIRANË - Në emisionin e sotëm 112 jemi me patrullat e Komisariatit nr. 2. Teksa efektivët janë në patrullim një aksident ndodh në rrugën Muhamet Gjollesha. Një makinë përplas një vajzë që po kalonte në vijat e bardha. Shumë pranë ndodhej efektivi i qarkullimit rrugor që ndërhyn menjëherë ndërsa në pak momente ndërhyn edhe patrulla me të cilën jemi ne. Vajza ka pësuar dëmtime në këmbë ndërsa nga efektivët është kërkuar ambulanca që mbërrin  për rreth 4 minuta pas aksidentit. Shoferi i mjetit ndodhet në vendngjarje ndërsa vajza iu tregon efektivëve se çfarë ndodhi. Ju sjellim momentet e filmuara nga kjo ngjarje në Emisionin 112, të realizuar nga gazetari i Report TV Antonio Çakshiri.

Në orët e pasdites efektivët e policisë angazhohen për të patrulluar rrugët e kryeqytetit dhe për të evidentuar dhe gjobitur shkelësit e rregullave të kufizimit të lëvizjes. Në disa rrugica dhe lulishte të pallateve gjenden disa të moshuar që ishin pranë shtëpive. Ata vetëm këshillohen të futen brenda në banesat e tyre.

Në fund të këtij episodi transmetojmë pamjet filmike nga kamera e trupit të efektivëve të njësive Shigjeta dhe Shqiponja të cilët shoqërojnë në polici disa të rinj pasi atyre iu gjetën sasi hashashi. Pamjet ekskluzive nga dy raste të ndodhura së fundmi në Tiranë.