TIRANE - Kryeprokurorja Arta Marku, kërkoi informacion nga prokuroria e Tiranës në lidhje me hetimet e nisura tashmë për përhapjen në publik të "Fake News" (lajm i rremë) nga portali Syri.net, se mbrëmë në 23:30 Shqipëria do të shkundej nga një tërmet i fuqishëm. Ky lajm i përhapur në portalin e drejtuar nga gazetari Çim Peka, bëri që e gjithë Tirana të dalë në rrugë nga tmerri i rënies së tërmetit të fuqishëm, nxitur edhe nga paniku ende i pakaluar i tërmetit të parë 5.8 Rihter me epiqendër detin Adriatik.

"Prokurorja e Përgjithshme  znj. Arta Marku kërkoi nga Pokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, vlerësimin e menjëhershëm ligjor në lidhje me dyshime për përhapjen në publik të informatave/njoftimeve të rreme që ngjallin panik dhe pasiguri tek qytetarët. Në mbështetje të neneve 38 dhe 50/1 të Ligjit nr.97/2016 ”Për Organizimin dhe Funksionimin  e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, pa cënuar sekretin hetimor Prokurorja e Përgjithshme znj. Arta Marku kërkoi gjithashtu informacion në lidhje me mënyrën e trajtimit të materialit", thuhet në një njoftim të Prokurorisë së Përgjithshme.

Oficerë të anti-terrorit në Tiranë të cilët kanë nisur praktikën hetimore për disa gazetarë të portalit “Syri.net” dhe “Shekulli”, kanë dërguar materialet në prokurorinë e Tiranës. Kjo e fundit ka nisur një procedim penal për veprën penale të “Përhapjes së informatave të rreme që ngjallin panik”.

“Shqiptarja.com” mëson se deri në këtë fazë janë shoqëruar dhe marrë në pyetje 12 persona, të cilët janë pjesë e stafeve të redaksisë së Syri.net dhe Shekulli. Momentalisht hetimi do vijojë të hetohet nga prokuroria e Tiranës, ku një prokurore është caktuar për këtë çështje, që dy lajme të rreme tronditën Tiranën, Durrësin dhe Elbasanin në mesnatë duke bërë që njerëzit të dalin të gjithë në rrugë, nga frika e një tërmeti të fuqishëm siç paralajmëronin dy shkrimet.

Ndërsa mbrëmjen e djeshme u shoqërua gazetari i Syri.net, Aurel Rakipllari, sot janë marrë në pyetje kryeredaktori i i portalit Syri.net Artan Cena së bashku me  Ermal Rizain dhe Gelsi Bakollarin.

Oficerët kanë marrë në pyetje kryeredaktorin dhe personat e tjerë, ashtu si gazetarin Aurel Rakipllari mbrëmë lidhur me lajmin që publikun duke përhapur panik dhe terror të njerëzit që dolën në rrugë nga frika. Ndërkohë që shoqërimet pritet të vijojnë, pasi sipas burimeve nga Anti-Terrori do të pyeten të gjithë personat që kanë dijeni.

Përpos gazetarëve të portalitSyri.net,  mbrëmë u shoqërua edhe gazetarja e 'Shekullit' Daniela Grica. Dy gazetarët, Rakipllari dhe Grica po hetohen si përhapwsit e lajmit të rremë se në orën 23:30 do të bjerë një tërmet të fuqishëm.

Ndërkohë që paraditen e sotme, gazetarja e Shekullit reagoi duke deklaruar se lajmi që ajo publikoi u modifikua qëllimisht. Ministrja Olta Xhaçka paralajmëroi burg për autorin e lajmit të rremë, por sa vite rrezikon të dënohet?

Referuar nenit 267, të Kodit Penal "Përhapja e informatave të rreme, me fjalë, me shkrim apo çdo mënyrë tjetër me qëllim që të ringjallë një gjendje pasigurie dhe paniku te njerëzit dënohet me gjobë ose burgim gjer në pesë vjet".