“I bënë magji dhe u zhduk”/ Pa Gjurme merr dëshminë live për Viktor Zacen

11 Qershor 2020, 20:02

 

Humb gjurmët në mars të vitit 2019, Viktor Zace kërkohet në emisionit ‘Pa Gjurmë’ nga bashkëshortja e tij. Për Alma Zaçen jeta shpesh ka marrë tatëpjetën, pasi për bashkëshortin e saj 43-vjec nuk është hera e parë që zhduket pa lënë asnjë gjurmë. Gjithçka e ka zanafillën tetorin e vitit 2015, kur Viktori emigroi në Selanik të Greqisë, duke qëndruar atje për afro 10 ditë. Hera e dytë kur ai u nis sërish drejt tokës helene ishte në fundvit, një periudhë kjo e errët për fatin e tij për shkak se ai u sëmur papritur, derisa zuri krevatin. Ai i kërkonte ndihmë të shoqes, e cila nuk dintë si ta ndihmonte, por duke besuar në bestytni dyshonte se bashkëshortit të saj i kishin bërë magji. Shpesh bashkëshprti kishte alucinacione. Viktori kërkonte Almës ta merrte djalin dhe të largoheshin, pasi kishte frikë se mos i vriste. Viktori e donte shumë familjen e tij, por kishte diçka, që e mundonte shumë. Ishte 26 janar 2016 kur Alma bashkë me djalin dalin nga shtëpia dhe kur kthehen Viktorin nuk e gjejnë aty. Ashtu i sëmurë, ai kishte marrë sërish rrugën drejt Greqisë. Disa ditë më pas ai e mori në telefon duke qarë dhe se donte të fliste me të birin. Viktori i shprehte Almës se ishte shumë i sëmurë dhe i kërkoi asaj që të kujdesej për djalin. Kur fliste me të birin, i ati nuk nxirrte asnjë herë fytyrën. Kështu zgjati një vit, kur kontaktet u ndërprenë sërish. Nga kjo jetë në udhëkryq në familjen Zace, kur babai më shumë mungonte sesa ishte në shtëpi, rëndohet edhe gjendja psikologjike e djalit asokohe një 14-vjecar. Viktori zhdukej dhe shfaqej në pak muaj, periudhë e cila zgjati me vite. E mbetur e vetëm me të birin, i cili u bë pre e bullizmit nga bashkëmoshatarët Alma mbeti e vetme pa përkrahje. Gjendja e djalit rëndohej, ndërsa Viktori ishte zhdukur përsëri. Në nëntor të vitit 2018 Viktori bëhet i gjallë ndërsa debaton me bashkëshorten se përse kishte shtruar në spital djalin e sëmurë. Në mars të vitit 2019 ishte e fundit herë që Viktori flet në telefon me Almën dhe djalin, kur ai u premton se do të kthehej në Shqipëri. Ka kaluar mbi një vit dhe Viktori nuk u bë më i gjallë, e ndërsa Almës i duhet të rrisë e vetme djalin e saj, i cili ka nevojë të ndjejë dashurine dhe ngrohtësinë e të dy prindërve. Të afërmit e bashkëshortit i kthyen shpinën, të vetmit ku Alma ka gjetur mbështetje janë prindërit e saj. Deri pak kohësh jetonte në një shtëpi me qera në Tiranë, ndërsa pronari e nxorri jashtë. Aktualisht Alma jeton tek shtëpia e prindërve bashkë me djalin dhe është në kërkim të bashkëshortit 43-vjecar.