Pas Prokurorisë,dëshmon ekskluzivisht për ’Pa Gjurmë’/Shoqja e dhomës Emily dëshmi kontradiktore (28 shkurt 2023)

28 Shkurt 2023, 19:55 | Përditesimi i fundit: 2023-02-28 20:11:30

Emily Mutua, shoqja e dhomës së 22-vjeçares nga Kenia, Joy Ayoko, ka folur ekskluzivisht për emisionin ‘Pa Gjurmë’ në Report Tv, ku ka treguar fakte të reja për atë që ka ndodhur 13 gushtin e vitit të kaluar. Pas dëshmisë së dhënë në polici, pak ditë më parë Emili sqaron për Report TV se nuk ka patur dijeni për lidhjen intime të Joyt me shoferin e kazinos Rodi Barçi. Sipas saj ajo atë natë ishte në punë dhe kur shkoi në shtëpi nuk e gjeti miken e saj në dhomë. Ajo tregon se nuk ishte në dijeni nëse 22-vjeçarja kishte lidhje me shoferin e kazinosë Rodi Barçi. Emily insiston se ajo nuk di se çfarë ka ndodhur atë natë, ndërsa shton se nuk ishte në dijeni nëse shoqja e saj ishte kërcënuar apo shantazhuar më parë.

 

Dëshmia e plotë për emisionin 'Pa Gjurmë'
 

Gazetari: Përshëndetje Emily!
Emily Mutua: Përshëndetje!
Gazetari: Të telefonova sepse dua të të pyes në lidhje me Joy-n dhe dëshminë që ke dhënë në fundjavë për shoqen tënde, e cila tashmë nuk jeton më.
Emily Mutua: Po!
Gazetari: Çfarë dëshmove, çfarë di ti për ngjarjen që ndodhi në Gusht, me Joyn?
Emily Mutua: Unë isha në punë gjatë natës dhe shkova në shtëpi, por nuk e gjeta atë.
Gazetari: A kishte Joy lidhje intime me shoferin e kazinosë, Rodi Barçi?
Emily Mutua: Unë nuk e di nëse ishte një lidhje dashurie, por ata dilnin bashkë dhe ajo kurrë nuk tha që frekuentoheshin (ishin në lidhje).
Gazetari: A e shqetësonte ai atë?
Emily Mutua: Këtë nuk e di, më kupton, ishte çështje personale?
Gazetari: A ke ndonjë dyshim?
Emily Mutua: Realisht unë nuk e di se çfarë ndodhi, me të vërtetë do të doja ta dija se çfarë ndodhi. Nuk e di se çfarë ndodhi sepse kur shkova në shtëpi ajo nuk ishte atje, dhe pas 2 ditësh ajo u shfaq, e kupton?
Gazetari: A të ka kërcënuar Rodi ndonjëherë?
Emily Mutua: Kurrë, kurrë!
Gazetari: Po Joy-n? A e ka kërcënuar ndonjëherë?
Emily Mutua: Nuk e di sepse ata kishin marrëdhënie personale dhe unë nuk isha pjesë e saj.
Gazetari: Po përpara se të ndodhte ngjarja? A të tha Joy ndonjëherë ndonjë gjë të keqe, shqetësuese?
Emily Mutua: Jo! Ne nuk flisnim shumë për gjëra personale.
Gazetari: As në lidhje me Rodin?
Emily Mutua: Ne thjesht shkonim   në punë, gatuanim, hanim, kjo është e gjitha.
Gazetari: Kur ishte hera e fundit që ti e ke takuar Joy-n?
Emily Mutua: Në punë, më datë 12 gusht.
Gazetari: Një ditë para ngjarjes?
Emily Mutua: Po!
Gazetari: Joy kurrë nuk të tha ndonjë gjë për Rodin?
Emily Mutua: Po, ata dilnim bashkë, por kurrë nuk më tha që ai e përndiqte atë, ajo kurrë nuk u ankua për ndonjë gjë, ajo kurrë nuk më tha mua ndonjë gjë, por i ka thënë shoqes së saj të ngushtë.
Gazetari: Joy Brenda?
Emily Mutua: Po!

 

Emisioni 'Pa Gjurmë' mëson se denoncimin në polici e ka bërë Emily Mutua, shoferi Rodi Barcin dhe shoferi i turnit i cili e ka dërguar në rezidencën ku qendronte 22-vjeçarja keniane. Burimet tregojnë se denoncimi është bërë rreth orës 23 të datës 13 gusht, ndërkohë që trupi i Joy-t u gjend në orët e paradites së 14 gushtit dhe u dërgua në spital.

Por ndryshe nga sa deklaroi sot në emisionin ‘Pa Gjurmë’ në Report Tv, Emili ka pohuar para hetuesve një ditë më parë se Joy i ka treguar asaj shantazhet që shoferi Barçi i kishte bërë kohët e fundit për të vijuar lidhjen me njëri-tjetrin. Emili ka theksuar edhe një herë se ka dyshime që në ngjarje të jetë i përfshirë Barçi dhe persona të tjerë, por pa folur me persona specifik. Edhe pse për shantazhet e shoqes ajo tregon se është vënë në dijeni pak ditë para se të ndodhte ngjarja në gusht 2022. Hetuesit thonë se dëshmia e vajzës nuk i ndihmon për zbardhjen e ngjarjes dhe se është e pabesueshme për grupin hetimor. Emili Mutua është marrë në pyetje në ambientet e Komisariatit nr. 1 në Tiranë, por çështja tashmë po hetohet bashkë me prokurorinë direkt nga Drejtoria e Policisë së Tiranës.

Shoferi i kazinosë ku punonte 22-vjeçarja nga Kenia Joy Aoko u mor në pyetje për disa orë në lidhje me dyshimet e hetuesve se mund të ketë gisht në rrahjen dhe dhunimin e të resë, e cila pas disa muajsh në koma humbi jetën në një spital në Kenia. Rodi Barci, 32 vjeç, ka deklaruar se ka qenë i lidhur me Joy-n, por në momentin kur ka ndodhur ngjarja, kanë qenë të ndarë dhe nuk kishin më lidhje me njëri tjetrin. 22-vjeçarja u largua nga Shqipëria më 25 janar të këtij viti, drejt vendlindjes për t’u mjekuar në spitalin Kenyatta, në Kenia. Joy u largua nga spitali i Traumës në “half coma”, pra gjysmë koma, e pavetëdijshme dhe ndërroi jetë në Kenia.

Kujtojmë se që prej 13 gushtit të vitit 2022 vajza nga Kenia u shtrua për kurim në spitalin e Traumës, pasi u dhunua brutalisht dhe u hodh nga kati i dytë i banesës ku jetonte në rrugën "Pandeli Evangjeli" në Tiranë, megjithëse ngjarja është ende e mbuluar me mister.

Deri më tani, askush nuk është arrestuar në lidhje me rastin, por policia pretendoi se ata janë në ndjekje të autorëve. Dyshohet se 22 vjeçarja është hedhur nga ballkoni i dhomës së pallatit ku qëndronte, dhe denoncimin në polici e bëri nga një prej shoqeve, Emily. E reja punonte në një kazino të Tiranës ku jetonte prej kohësh së bashku me disa shoqe të saj gjithashtu nga Kenia. Nëna e vajzës keniane, që jetonte në Tiranë me disa shoqe të saj, u njoftua nga kompania e kazinosë që vajza e saj kishte përfunduar në spital. Sipas saj vajza u kishte treguar shoqeve se përndiqej nga një shofer taksie i cili vazhdimisht i kërkonte të krijonin raporte intime.