Receta e ditës - Pilaf bullguri me fileto peshku dhe kimë me vezë / Pjesa e parë

14 Shkurt 2019, 16:13

Receta e pare: Pilaf  bullguri me fileto peshku

Përbërësit:

1 e ½ filxhan bullgur

1/3 filxhan vaj ulliri

1 finok i copëtuar

1 presh i copëtuar

2 thelpinj hudhër

1 filxhan domate qershi ose domate të grira

4 lugë verë e bardhë

6 ullinj të gjelbër të copëtuar

½ filxhan arra të copëtuara

Lëngu i një limoni

Majdanoz i freskët

Kopër e freskët

Kripë dhe piper i zi

4 fileto peshku

Përgatitja:

Vendosni bullgurin në një tas me 3 gota ujë dhe pak kripë. Mbulojeni dhe lëreni të qëndrojë për 2 orë deri sa bullguri të thithë shumicën e ujit dhe të bëhet i butë. Kulloni ujin e mbetur në një sitë dhe vendoseni bullgurin mënjanë. Vendosni peshkun në një pjatë dhe spërkateni me kripë, piper e lëng limoni. Mbulojeni dhe lëreni mënjanë.

Ngrohni 2 lugë vaj ulliri në një tigan të thellë dhe kaurdisni lehtë preshin dhe finokun deri sa të zbuten pak por jo plotësisht (rreth 5 minuta). Më pas shtoni hudhrat, rrisni pak nxehtësinë dhe shtoni  domatet. Më pas shtoni ullinjtë dhe shuajeni me 2 lugë verë të bardhë. Kur alkooli të avullojë, ulni nxehtësinë, e shtoni arrat dhe bullgurin. Rregulloni shijen me kripë dhe piper.

Në një tigan tjetër ngrohni 2 lugë gjelle vaj ulliri në nxehtësi mesatare. Vendosni filetot e peshkut me lëkurë lart dhe lëreni për 3 minuta. Kthejeni me kujdes nga ana tjetër dhe rrisni nxehtësinë. Në të njëjtën kohë shtoni 2 lugët e tjera me verë të bardhë. Lëreni për 2 minuta derisa alkooli të avullojë por të ketë ngelur pak lëng në tigan.

Hiqni fileton dhe vendoseni mbi pilafin e bullgurit. Lëngun e mbetur në tigan nga filetoja e peshkut hidheni sipër bullgurit. Shërbejeni së bashku me disa feta limoni në pjatë.