Receta e ditës -Turli me thjerrëza e perime dhe omletë me perimet e stinës / Pjesa e parë

14 Tetor 2019, 11:07

Receta 1

Turli me thjerrëza dhe perime

Përbërësit:

1 qepë

3 thelpinj hudhra

2 patate mesatare

2 karrota

2 patëllxhanë

2 kunguj

1 degë selino

2 speca me ngjyrë mix

1/2 gotë thjerrëza

1 domate të madhe

4 lugë gjelle vaj ulliri

1 gjethe Dafinë

Kripë dhe piper i zi, uthull

Majdanoz

Përgatitja:

Shpëlajmë thjerrëzat dhe i vendosim për të zierë në temperaturë mesatare. Pesë minuta pasi të fillojë zierja, i largojmë dhe i kullojmë.

Në një tenxhere ngrohim vajin dhe kavardisim qepën të grirë hollë derisa të zverdhet. Shtojmë hudhrat të prera në copëza dhe i trazojmë së bashku për 1 minutë. Fillimisht shtojmë perimet që duan më shumë kohë për zierje si përshembull karrotën, patetatet e më pas me radhë selinonë, patëllxhanin, kungullin, specat, domatet, të gjitha perimet të prera në kubikë.

Vendosim një gjethe dafine dhe thjerrëzat dhe shtojmë ujë baras me nivelin e perimeve. Rregullojmë shijen me kripë dhe piper të zi dhe e lëmë turlin të ziejë me kapak të mbyllur për 15 minuta. Në fund, shtojmë uthull sipas shijes që preferoni dhe e shërbejmë duke e skërkatur me majdanoz.