Frikase me mish nga zonja Vjollca

21 Prill 2020, 12:24

Frikase me mish

Përbërësit: 600 gr mish viçi ose qingji 2 lugë gjelle miell 2 të verdha veze 1 gotë kos Kripë dhe piper i zi 2 lugë gjelle vaj ulliri 2 lugë gjelle gjalp Majdanoz ose koper 1 qepë, 1 degë selino, 1 gjethe dafinë Përgatitja: Vendosim në një tenxhere një qepë të prerë në gjysmë, 1 gjethe dafinë dhe 1 degë selino. E lëmë ujin të marrë valë dhe shtojmë copat e mishit. (Por mund ta bëni pa qepë e selino, varet nga shijet tuaja). Pasi mishi të ketë marrë valë, pas 10-15 minutash, shtojmë kripë dhe e lëmë sërish mishin të ziejë, derisa të shkëputet nga kocka. Ndërkohë shkrijmë gjalpin, hedhim pak vaj ulliri dhe kaurdisim në të 2 lugë gjelle miell. E kaurdisim sa të marrë ngjyrë dhe e shuajmë me lëngun e mishit. Duke e trazuar vazhdimisht, e lëmë të marrë valë për 5 minuta. Trazojmë kosin me vezët sa të na formohet një masë e lidhur. Fikim temperaturën e zjarrit dhe shtojmë kosin me vezët duke e përzierë ngadalë. E lëmë sa të fluskojë një valë e lehtë, i vendosim kapakun dhe e lëmë të pushojë me temperaturën e vet. Më pas e servirim me pak majdanoz dhe koper, sipas preferencave tuaja.