Ladi Sulo, gjyshja që ngjit malet e Shqipërisë bashkë me nipin 7 vjeçar: Njeriu duhet të rrezikojë në jetë

25 Shkurt 2019, 13:00 | Përditesimi i fundit: 2019-02-25 15:11:17

Për pak do të mbushë 60 vjeçe por nuk ngjason aspak me gjyshet tradicionale me të cilat shumë prej nesh jemi rritur. Ladi Sulo prej 7 vitesh është shndërruar në një aventuriere të vërtetë që sfidon malet, jo vetëm të Shqipërisë por edhe në Ballkan e më gjerë. Ajo që e bën më të veçantë, është se prej 4 vitesh tashmë në çdo udhëtim ajo ka një shok edhe më të pazakontë, nipin e saj 7 vjeçar Markus. Janë një dyshe alpinistësh të cilët, asnjë fundjavë nuk i gjen në të njëjtin mal.

Të ftuar në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV, Ladi dhe Markus rrëfyen aventurat e tyre nëpër malet e Shqipërisë.

"Njeriu duhet të rrezikojë, jeta kështu është që të ecësh përpara. Është më bukur me aventurë. Frikën e kisha se ishte fëmijë, në fillim ngjitesha dhe zbrisja me të përdore. Por sot nuk e kam problem. Ndoshta frika u zhduk me kalimin e viteve. Ne ngjitëm maëlin e Çikës para 2 muajsh dhe ky (Markus) e ka ngjitur dhe e ka zbritur vetë. Është një mal i vështirë për shkak të terrenit.", tregon gjyshja.

E pyetur nëse ndjehet e lodhur, Ladi tha se përkundrazi, është gjithmonë në kërkim të sfidës së radhës që do ti dhurojë më shumë adrenalinë.