Çajrat, gabimi që keni bërë deri tani në përgatitjen e tyre

30 Shtator 2019, 13:28

Me afrimin e stinës së vjeshtës,  rritet edhe mundësia që njerëzit të preken nga virusi i gripit.

Për të shmangur medikamentet, njerëzit kanë filluar të ndjejnë rëndësinë e çajrave bimorë dhe kombinimet e tyre.

I ftuar në “Rreze Dielli” agronomi Zef Gjeta shprehet se çajrat ndihmojnë në parandalimin apo zbutjen e simptomave të gripit.

Por cili është gabimi që bëjmë gjithmonë në përgatitjen e çajrave, që na bën të mos i përfitojmë të gjitha vlerat e tyre?

Gjeta shprehet se sekreti qëndron te zierja e bimëve.

“Çaji më i njohur është çaji i malit, ai i veriut dhe i jugut, por edhe lulja e blirit. Këto janë 3 lloje çajrash shumë të zakonshme dhe të përdorura. Por çfarë është fatkeqësia?  Të gjitha llojet e çajrave me gjethe ose me trupin e bimës nuk duhet të zien, zien uji dhe pastaj hedhim bimën që qëndrojnë në ujin e ngrohtë, 7 deri në 10 minuta, që të marrim vlerat e bimës sepse nëse i ziejmë, i avullojmë ose ngurtësojmë vlerat, ndërsa frutat dhe rrënjët duhet të ziejnë.

Boronica është shumë e zakonshme, përshembull një miks çajrash ka boronicë, çaj mali, lule bliri dhe kamomil. Gjëja e dytë e keqe është fakti që ne shkojmë në fshatra dhe gjejmë çajra të paketuar nga vende të tjera, ndërkohë që mjafton të mbledhim disa lule bliri dhe t’i bëjmë çaj. E mira është që të mos konsumohen me sheqer.”, shprehet specialist.