Sugjerimi i javës: Libri “Uni i tij i ndaluar” nga Peter Carey

19 Prill 2019, 13:09

Këtë javë në rubrikën tonë të librave në “Rreze Dielli”, ju sugjerojmë “Uni i tij i ndaluar”nga Peter Carey, sjellë në shqip nga Ukë Buçpapaj. Është viti 1972 dhe Çeja, një djalosh shtatë vjeç, jeton me gjyshen, – e vetmja që e thërret Llafazan, – në një zonë të izoluar të Nju-Jorkut: pa televizor, pa bashkëmoshatarë, pa gjyshin, i cili është larguar me të dashurën. Natën, kur gjyshja, e shtrirë me flokët e saj të thinjura e të përhapura në jastëk si leshterikë, sheh ëndrra të shkaktuara nga Martini, Çeja rri dhe i përgjon frymëmarrjen, i frikësuar se ajo mund të pushojë së marri frymë përpara se të vijnë ta marrin. Kush do të vijë ta marrë? Ai pret të vijnë prindërit e tij, dy komunistë radikalë në ndjekje nga FBI-ja, të cilët ai nuk i ka parë që kur ka qenë foshnjë, po të përjashtojmë një foto të të atit, të prerë nga një gazetë, të cilën Çeja e mban me vete në xhep. Do vijnë të të marrin, – i thotë komshiu adoleshent, – do të të largojnë prej këtej. Çeja e dëshiron vërtet këtë largim të pamundur dhe shpreson që do të vijnë ta marrin sa gjyshja është akoma gjallë, që ajo ta përcjellë me përshëndetje. Një ditë hapet dera e ashensorit dhe ai dallon një femër të gjatë e të drejtë me një çantë ngjyrëkaki në kurriz, të cilën duhet ta kishte thirrur Diala, në vend që ta quante mama. Diala nuk është ajo që mendon Çeja, por një fëmijë pa mama lehtësisht mund të fantazojë për një të tillë. Diala, e cila ka qenë dadoja e Çesë në foshnjëri të tij, ka ardhur ta shoqërojë Çenë për të takuar të ëmën biologjike vetëm për dy orë, por gjërat nuk shkojnë ashtu siç janë planifikuar dhe Diala me Çenë përfundojnë të arratisur në pyjet australiane, në një bashkësi hipiakësh aspak mikpritëse. Carey përdor stilin e përroit të ndërgjegjes për të përshkruar në mënyrë prekëse paqartësinë e Çesë rreth vetvetes, jetës së tij dhe rreth gjërave që ai vërtet i dëshiron.